Dhjetëra tanke ruse futen në Ukrainë

Zëdhënësi i Ushtrisë së Ukrainës, Andriy Lysenko ka deklaruar të premten se 32 tanke, artileri të ndryshme dhe 30 kamionë të mbushur me municione dhe ushtarë, kanë hyrë nga Rusia në lindje të Ukrainës.

Bota

07/11/2014 14:46

Hyrja e trupave ruse është bërë të enjten, ndërsa ka shtuar se pesë ushtarë ukrainas dhe së paku 16 të trupa të tjerë, janë plagosur gjatë luftimeve përgjatë  24 orëve të fundit në këtë rajon.

Para pak ditësh, presidenti ukrainas, Petro Poroshenko ka urdhëruar forcimin e sigurisë në jug dhe lindje të vendit, për t’u mbrojtur nga sulmet e mundshme të separatistëve të mbështetur nga Rusia, të cilët kanë shpallur “Republikën Populore të Donteskut” dhe kërshojnë shpëutjen nga Ukraina.

Nga konflikti mes separatistëve pro-rusë dhe forcave të qeverisë ukrainase, në lindje të Ukrainës, janë vrarë rreth 4 mijë persona, ndërsa janë shpërngulur mbi 800,000 persona.

Konflikti në dy rajonet e populluara mes popullsi të përzier u nxit pas aneksimit të krahinës ukrainase, Krimesë, nga Rusia, gjë që çoi në tensionimin e raporteve dhe vendosjen e sanksioneve nga Perëndimi.  

Ndërkohë, sipas agjencive të lajmeve ruse, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe sekretari amerikan, John Kerry, do të takohen më 8 nëntor në Pekin, raporton RFE.

Takimi mes tyre do të ndodh përpara samitit të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik të Azisë Paqësore (APEC), që do të mbahet javën e ardhshme.

Dy liderët herën e fundit janë takuar më 14 tetor në Paris, ku kanë diskutuar për krizën në Ukrainë.

Situata në Ukrainën lindore, pritët që të jetë temë kryesore që do të caktojë agjendën e takimeve në Pekin.

Në anën tjetër, Dmitry Peskov, zëdhënës i Presidentit rus, Vladimir Putin, ka thënë të premten  se gjatë samitit të APEC, ka mundësi që “në një mënyrë ose tjetër” të ketë diskutime edhe mes presidentit rus dhe atij amerikan, Barack Obama.