Dhëndurët politikë me tupanë dhe surla

Në stilin e tij të mirënjohur, me sarkazëm dhe ironi, Naser Gjinovci i bën një kritikë të veçantë fushatës zgjedhore. Ai e analizon imazhin dhe stilin e kandidatëve, duke e shpjeguar identitetin e tyre estetik me rrënjët kulturore dhe logjikën fisnore.

Lajme

02/11/2013 07:22

Në stilin e tij të mirënjohur, me sarkazëm dhe ironi, lideri i grupit Minatori, i bën një kritikë të veçantë fushatës zgjedhore.

Në një intervistë për lajmi.net, ai e analizon imazhin dhe stilin e kandidatëve, duke e shpjeguar identitetin e tyre estetik me rrënjët kulturore dhe logjikën e fiseve me të cilën funksionojnë partitë tona.

Thotë se Partia e Fortë është personifikim i politikanëve të ambalazhuar dhe se nuk është krijuar rastësisht.

“Më së pari dua të flas për atë që duket – styling’un e tyre, i cili komunikon dhe iu paraqet identitetin që kanë. Secili prej tyre e ka imazhin e një dhëndri të sapomartuar, me kravatë të dy eurove dhe tesha komplet që kushtojnë 20 euro, të vezulluara dhe mundësisht me atë tiketën në dorë të djathtë, dhe me këpuca të vezulluara”.

“Sa i përket tubimeve dhe fushatave të ndryshme promovuese që janë bërë, tupani dhe surla është një ilustrim jashtëzakonisht i mirë i vetë atyre dhe i politikës folklorike që e kanë. Domethënë, tamam korrespondon me atë disponim të atyre figurave politike”.

Gjinovci nuk sheh asnjë avancim në këtë fushatë, në krahasim me fushatat e kaluara.

“Nuk ka ndryshuar absolutisht asgjë, është njësoj, nuk ka kurrfarë dallimi, përveç që sivjet është 2013’ta, kurse para katër vjetëve ka qenë 2009’ta. Dallimi është vetëm në kalendar. Shumica e kandidatëve janë të vjetër”.

“Partitë kanë filluar të funksionojnë me logjikën e fiseve. E kanë një pjesë të njerëzve të vet, të militantëve të vet. Është shumë vështirë për të depërtuar, kurse ata që depërtojnë janë nën liderin, kështu që ndikimi i tyre është minimal”.

Frontmani i grupit legjendar Minatori flet për mënyrën në të cilën kandidatët i transmetojnë mesazhet e tyre.

“Ajo çka më bie në sy janë premtimet e tyre banale, mirëpo kjo ndodh sepse ata ose janë shumë të padijshëm, ose janë shumë të paskrupullt. Është e pabesueshme”.

“Kandidatët për kryetarë në zgjedhjet komunale premtojnë sende që janë ekskluzivisht kompetencë e Qeverisë, siç janë uji, taksat, bizneset e ndryshme, etj. Këto kompetenca i ka Qeveria dhe jo autoritetet lokale, prandaj janë të pasinqertë, ose të padijshëm, dhe qytetarët bien pre e atyre sendeve. Këto janë premtime boshe të cilat nuk mund t`i bëjnë pasi nuk janë kompetencë e tyre”.

“Disa janë pak më inteligjentë, duke e zbutur këtë variant me premtime banale që janë prezente 14 vjetët e pasluftës, si ato me ‘sjelljen e investitorëve të huaj’, ‘investimet kapitale’ dhe ‘hapjen e vendeve të reja të punës’. Ky është boshti i programit të tyre”.

Gjinovci e ka një mendim të fortë për Partinë e Fortë.

“Partia e Fortë ka ngjashmëri me Bepe Grillon e Italisë. Por, parti të ngjashme ka edhe ne disa vende tjera. Një e tillë është e rëndësishme në Zelandë të Re”.

“Këto parti nuk krijohen rastësisht, ato janë personifikim i politikanëve të ambalazhuar, domethënë politikanëve që janë të veshur me kravata, me aurën e pushtetit dhe janë të kamufluar”.