Devalvimi i shtetit të Kosovës

11:31 | 21 Nentor 2014

Blerim Shala, kolumnist i rregullt i lajmi.net dhe Nënkryetar i AAK-së

Viti 2015 do të jetë viti më i vështirë për Kosovën dhe për kosovarët që prej shpalljes së pavarësisë.

Thuaja përditë mund të lexojmë dhe mund të shohim  (falë internetit) për eksperimentet sociale, të cilat aplikohen për të marrë vesh sadopak se cili është nervi i qytetarëve të rëndomtë në një shoqëri.

Njëri prej tyre që ka bërë bujë në Internet ditëve të fundit është ai që spikatë reagimet e qytetarëve që rastësisht gjejnë një kuletë të humbur me plotë para. E tëra ka qenë e inskenuar, natyrisht, sepse kemi të bëjmë me një eksperiment social.

Prej shumë atyre që e gjetën kuletën me para, vetëm njeri ia mësyu stacionit më të afërt të policisë, madje pa këqyrë fare se çka ka në kuletë që ishte goxha e majme (me shumë para). Ky qytetar që sado-kudo ua shpëtoi fytyrën kalimtarëve të rastit ishte një lypës, i tëri në rrobe të vjetra, me lecka, i palarë për javë të tëra. Pa lekë në xhep fare. Si shpërblim për këtë veprim të tij, ky fitoi një mijë dollarë.

Si atyre që ia dhanë këtë dhuratë, si këtij që i mori këto para, sytë iu mbushën me lot.

Nuk dihet në rastin e Kosovës kush do të qajë dhe kush do të qeshë me pasojat e ‘Eksperimentit politik’ të pesë-gjashtë muajve të fundit, pasojat e të cilit tek do t’i vërejmë në këtë politikën dhe shoqërinë kosovare.

Gabohen ata që mendojnë që e tëra do të harrohet shumë shpejtë, apo që me bërjen e institucioneve qendrore të Kosovës, të Kuvendit dhe të Qeverisë së Kosovës, (brenda pak ditëve, më së shumti, dy javëve), do të ndodhë kthimi në nivelin e duhur të funksionimit të këtyre institucioneve.

Në fakt, kur flitet për politikën e Kosovës, ajo është në rënie të vazhdueshme qysh nga vjeshta e vitit 2010, kur u prish Qeveria e parë e Republikës së Kosovës dhe kur u mbajtën zgjedhjet e dhjetorit të atij viti. Por pas këtij pesë mujori të fundit, gjendja ka të ngjarë të përkeqësohet edhe më shumë.

Qysh tash, në fund të kësaj krize politike që u kodifikua tek të gjithë si një ‘ngërç politik’, mund të përgatitet me një saktësi të madhe Lista e pasojave të rënda me të cilat do të përballet tash e tutje politika kosovare, para se të gjithash Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës.

Së pari, qytetarët e zakonshëm të Kosovës më nuk kanë kurrfarë besimi tek politikanët e vendit. Ata gjithmonë do të kenë interes prej politikës dhe prej politikanëve, por besimi i tyre eventual lidhet me bindjen që politikanët nuk janë aty vetëm për interes të vetin, por edhe për diçka më shumë: për të mbrojtur shtetin e Kosovës, për ta përmirësuar jetën e qytetarëve.

Besimi i humbur i qytetarëve në politikë do të duhej të ishte burim i një shqetësimi të madh të politikanëve të Kosovës. Prej humbjes së besimit tek veprimet e pamatura në rrugë, është një hap i vetëm. Ky besim, prandaj, i bënë themelet e një stabiliteti afatgjatë në një shoqëri demokratike. Në këto shoqëri, besimi është çelës i stabilitetit, ndërsa në ato të tjerat gjithçka ndërtohet mbi frikën nga pushteti.

Së dyti, as politikanët e Kosovës më nuk i besojnë fare njeri-tjetrit. Parimi i vetëm mbizotërues në politikën kosovare është që nuk ka asnjë parim. Koalicionet dhe partneritetet ndreqen dhe prishen brenda ditës, deklaratat dhe vlerësimet ndryshohen si në një treg plaçkash, miqësitë kthehen në armiqësi dhe anasjelltas, sa çel e mëshel sytë. Asgjë nuk duket e qëndrueshme.

Sado që politika në parim, kudo në botën demokratike nuk është një terren ku vlejnë parimet morale (është e kotë të shpjegohet pse është kështu), megjithatë, një farë qëndrueshmërie në drejtimin themelor politik, si dhe një minimum i besimit reciprok midis politikanëve, janë tipare që vlejnë në vazhdimësi. Këto tipare i bëjnë muret e një stabiliteti afatgjatë politik në një vend.

Së treti, shteti i Kosovës  (jo ky apo ai politikan, jo kjo apo ajo parti), është dëmtuar ndjeshëm në Perëndim, për shkak të gjithë kësaj çfarë ndodhi tek ne prej tetë qershorit e këndej. Vlera e shtetit të Kosovës ka devalvuar tok me degradimin e demokracisë, paralizën institucionale dhe teposhtëzën politike.
Vlera ndërkombëtare e një shteti, gjithsesi është kulmi i një stabiliteti afatgjatë politik.

Së katërti, Kosova gjithsesi do të ketë pasoja të rënda ekonomike dhe sociale në vijim të stinës së fundit politike në vend. Nuk mund të ketë stabilitet afatgjatë politik pa një ekonomi të qëndrueshme. Është pra goxha lehtë të konkludohet që viti 2015 do të jetë viti më i vështirë për Kosovën dhe për kosovarët që prej shpalljes së pavarësisë.

(Autori është Nënkryetar i AAK-së dhe kolumnist i rregullt i lajmi.net)