Detajet e reja të shërbimit ushtarak të Son, Tottenham të shqetësuar me këtë gjë

Heung-min Son do t’i ekspozohet gazit lotsjellës – teksa janë zbardhur detaje të shërbimit të tij ushtarak.

Sport

07/04/2020 14:24

Klubi londinez, Tottenham ditën e djeshme konfirmoi se ylli i tyre, jug-koreani Son do të kryejë shërbimin ushtarak në Kore të Jugut.

Tashmë janë mësuar edhe detaje rreth këtij obligimi ushtarak, dhe ai do të jetë i ekspozuar në gaz lotsjellës.

Në një video të postuar në YouTube nga Administrata e fuqisë ushtarake (MMA), shihet se një pjesë e stërvitjeve do të kryhen në një dhomë të gazit.

“Pasi të jeni bërë pjesë e ushtrisë, ju duhet të jeni në gjendje të gjuani me armë, të merrni frymë në dhomë me gaz dhe të jeni pjesë e një beteje, duke u zvarritur dhe rrotulluar në fushë”, i tha një zyrtar ushtarak agjencisë Reuters.

Son po ashtu do të përfshihet në gjuajtje me armë me plumba të vërtetë si dhe në një marsh në distancë 30 kilometra.

Ky shërbim ushtarak i tij pritet të zgjatë rreth tri javë, dhe do të përfshijë trajnim intensiv, sipas një zyrtari ushtarak nga Koreja e Jugut.

Të gjithë meshkujt e aftë në Kore të Jugut janë të obliguar t’iu nënshtrohen shërbimit ushtarak për dy vite, por Son e fitoi të drejtën e përjashtimit, pasi kishte udhëhequr shtetin drejt medaljes së artë në Lojërat Aziatike më 2018.

Sidoqoftë, sulmuesi 27-vjeçar duhet t’i kryejë tri javët obligative të stërvitjes, dhe i gjithë ky trajnim do të fillojë më 20 prill, në ishullin jugor të Jeju, sipas mediave lokale.

Son aktualisht ndodhet në vetizolim për shkak të rregullave strikte në Kore të Jugut, meqë ka udhëtuar atje nga Britania e Madhe.