Detajet e arsenalit kimik sirian
Siria ka filluar të dorëzojë dokumente rreth armëve kimike. Presidenti Assad ka nëntë muaj afat për dorëzimin e të gjithë arsenalit.
Bota
Siria u ka ofruar disa detaje rreth armëve kimike mbikëqyrësve të armëve të OPCW të premten në Hagë, por duhet t`i përmbushë të gjitha kërkesat deri javën e ardhshme, dhe të çarmatoset shpejt në mënyrë që t’i evitojë sulmet nga Shtetet e Bashkuara.
Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike ka marrë përkrahjen edhe të OKB’së që ta mbikëqyrë çarmatimin e Bashar al Assad.
Zëdhënësja e kësaj organizate tha se “ne kemi pranuar një pjesë të detajeve por presim më shumë”.
Ajo nuk tha se çka mungonte nga dokumentit të cilin një diplomat i OKB’së e kishte përshkruar si “mjaft gjatë”. 41 anëtarët e Këshillit Ekzekutiv të OPCW pritet të takohen në fillim të javës së ardhshme, që të shqyrtojnë listën siriane dhe të pajtohen me implementimin e marrëveshjes së arritur javën e kaluar në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, në mënyrë që të shkatërrojnë të gjithë arsenalin e armëve kimike brenda nëntë muajve.
Orari ishte vendosur nga Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergei Lavrov para një jave në takimin që u mbajt në Gjenevë, ku kishin arritur një marrëveshje për shkatërrimin e armëve kimike të presidentit sirian Assad, dhe tërheqjen e menjëhershme të kërcënimit nga ana e Uashingtonit për lansimin e sulmeve ushtarake.
Sipas planit, afati i fundit për Sirinë është dita e shtunë për të dhënë llogari për posedimin e armëve. Ekspertët e sigurisë kanë thënë se Siria posedon afër 1,000 ton gazë mustard, VX dhe sarin, agjentë nervor të cilat i gjetën inspektorët e OKB’së pas vrasjes së qindra njerëzve nga regjimi, në sulmin me raketa helmuese më 21 gusht në zonën e kontrolluar nga forcat rebele.
Sekretari i Shtetit Kerry tha se ka folur me ministrin Lavrov përmes telefonit të premten. Ata ishin pajtuar të vazhdojnë të bashkëpunojnë “për të ecur jo vetëm përpara me qëllim të përputhjes me rregullat dhe instruksionet e OPCW, por gjithashtu për një rezolutë që është e qëndrueshme dhe e fortë përbrenda OKB”, u ka thënë Kerry gazetarëve në Washington.
Një diplomat perëndimor ka paralajmëruar të premten që dështimi i Assad’it që të japë shpjegime për të gjitha dyshimet sa i përket armëve kimike do të shkaktonte reagimin e fuqive botërore në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që të pajtohen për aksionin ushtarak kundër Damaskut.
Nëse ka ndonjë boshllëk në dokumente diplomati tha se “kjo çështje do të shkojë drejt Këshillit të Sigurimit”.
SHBA dhe aleatët e saj thonë se raporti inspektorëve të Kombeve të Bashkuara këtë javë nuk lë dyshim që forcat e Assad’it janë përgjegjëse për vrasjet e 21 gushtit. Sidoqoftë, Assad ka fajësuar rebelët për sulmin ndërsa Moska zyrtare thotë se dëshmitë se kush është përgjegjës janë të paqarta.
Qeveria siriane ka pranuar planin dhe tashmë ka kërkuar t`i bashkohet OPCW-së. Për Assad’in dhe Rusinë propozimi për largimin e armëve kimike siguroi anulimin e sulmeve ushtarake të cilin e kishte planifikuar Presidenti Obama pas sulmit të 21 gushtit. Për Obama’n kjo zgjidhi një dilemë të parashtruar kur ai gjeti Kongresin të pavullnetshëm për ta përkrahur luftën në Siri.
Sapo ekzekutivi i OPCW të votojë për ta ndjekur planin Lavrov-Kerry në takimin që pritet të mbahet në fillim të javës së ardhshme, Këshilli i Sigurimit pritet të japë miratimin e marrëveshjes dy vjet pas ngërçit lindje-perëndim sa i përket çështjes së Sirisë.
Sidoqoftë Rusia e cila e ka të drejtën e vetos mbetet kundërshtare e përpjekjeve të fuqive perëndimore që Këshilli i Sigurimit të shkruaj kërcënimin e qartë dhe të shpejt me ndëshkim. Ajo dëshiron që të diskutohet për përdorimin e forcës në Siri vetëm nëse Damasku dështon të bashkëpunojë.
Obama ka kërcënuar se akoma nuk ka hequr dorë nga sulmi ndaj Sirisë edhe pa mandatin e Kombeve të Bashkuara, nëse Assad nuk e respekton marrëveshjen.