Detaje të reja se si mund të funksionojë linja hekurudhore Kosovë-Serbi

Përfaqësues të Kosovës dhe Serbisë, të hënën në Gjermani janë takuar për të diskutuar rreth marrëveshjes për rikthimin e linjës hekurudhore mes Prishtinës dhe Beogradit.

Lajme

28/01/2020 15:10

Me iniciativë të ambasadorit gjerman, Richard Grenell, i cili një herësh është edhe i dërguari Special i presidentit amerikan, Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi, të hënën në Berlin është mbajtur një takim në mes të Prishtinës dhe Beogradit zyrtar për rikthimin e linjës hekurudhore mes këtyre dy vendeve.

Mediet serbe tashmë edhe kanë zbuluar detaje të reja dhe opsione se si mund të funksionojë linja hekurudhore Kosovë-Serbi, transmeton lajmi.net.

Siç raporton “Tanjug”, janë dy opsione. Opsioni i parë mund të jetë linja hekurudhore Beograd-Llapovë-Kragujevc-Kralevë-Prishtinë, rrugë kjo e cila është e gjatë 366 kilometra.

Po ashtu, opsioni i dytë është linja hekurudhore Beograd-Llapovë-Nish-Dolevac-Kurshumli-Prishtinë, linjë kjo e cila është e gjatë 388 kilometra, transmeton lajmi.net.

Linja e parë, Beograd-Llapovë-Kragujevc-Kralevë-Prishtinë, përfundon në veri të Mitrovicës, kurse linja e dytë, Beograd-Llapovë-Nish-Dolevac-Kurshumli-Prishtinë, linja është direkt për në Merdare.

Linja e cila përfundon në Merdare është e pakalueshme qysh nga viti 1999, pasi që u shkatërrua gjatë bombardimeve.

Duhet theksuar se gjendja e hekurudhave në Kosovë është e rëndë.

Rikujtojmë se takimi i së hënës në Berlin zgjati më shumë se tre orë, dhe pas këtij takimi, palët u deklaruan se shpresojnë në arritjen e marrëveshjes në një kohë sa më të shpejt. /Lajmi.net/