Detaje shokuese për vrasjen e Karelit

Shqiptarit të vdekur në burgjet e Greqisë, supozohet se i janë hequr organe nga trupi. Burime të Top Channel thonë se Mjekesia Ligjore shqiptare kërkon shpjegime nga Mjekësia Ligjore greke që të sqarojë mungesën zemrës në trupin e të ndjerit.

Lajme

05/04/2014 15:38

Në përfundim të kryerjes së autopsisë ndaj Ilia Karelit, i njohur ndryshe si Kudret Kume, i cili u konstatua se kishte vdekur nga dhuna në burgjet greke, mjekësia ligjore në Shqipëri i kërkon Prokurorisë të aktivizohet për të komunikuar sipas procedurës me palën greke për këtë çështje.

Burime të sigurta i thanë Top Channel se Mjekesia Ligjore i sugjeron organit të akuzës që të kërkojë shpjegime nga mjekësia ligjore greke që të dijë se përse mungon organi i zemrës në trupin e të ndjerit nga fshati Zhupan i Fierit.

Gjithashtu në bazë të këtyre burimeve, autoritetet shqiptare pritet t’i kërkojnë nga autoritetet greke që të japin sqarime se përse në trupin e tij ka heqje të indeve në pjesën e parakrahut dhe në gishta.

Kjo kërkese e Mjekësisë Ligjore vjen në momentin kur në raportin përfundimtar të tyre, doli një përfundim i ngjashëm me raportin e ekzaminimin e palës greke, ku u konstatua se në trupin e 40 vjeçari kishte thyerje të brinjëve dhe hematoma të dukshme në kokë e fytyrë.

Ndërkohë që për mungesën e zemrës dyshohet se ajo mund të jetë hequr nga mjekësia ligjore greke për autopsi edhe pse për raste të tilla ekzaminimesh specialistët nuk i marrin komplet organin e zemrës.

Nga ana tjetër edhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit, i sugjeron homologëve të vet në Greqi të ndjekin çështjen e torturës me pasoja vdekjeprurëse të 42-vjeçarit e më pas të informohen për shkaqet se përse vdiq Ilia Kareli. Aktualisht për vdekjen e 42-vjeçarit kanë nisur hetimet edhe në Prokurorinë e Fierit pas një denoncimi nga të afërmit e tij.