Dështon rezoluta Shqipëri-PE, Doshi insiston se ka prova

Demokratët janë përplasur sërish me kryesuesen e delegacionit të Parlamentit Europian edhe në ditën e dytë të takimit ndërparlamentar për variantin përfundimtar të deklaratës së përbashkët.

Lajme

17/03/2015 21:03

Burime nga mbledhja me dyer të mbyllura bënë me dije se deputeti i PD-së, Aldo Bumçi ka replikuar ashpër me Monica Macovei, duke bërë që takimi i përbashkët Shqipëri-PE të mbyllet pa një deklaratë të përbashkët, që në Bruksel përkthehet si mungesë e dialogut politik në Shqipëri.

Demokratët kanë kërkuar që në draftin e përbashkët, në pikën që parashikon rekomandimet për hetimet e hapura pas akuzave të Tom Doshit, të vendosej emri i Ilir Metës si i akuzuar nga ai.

“Shumica nuk ishte dakord që të vendosej emri i Kryetarit të Kuvendit, por të vendosej emri përgjithësues i Kuvendit. Kjo është e padrejtë. Ç’lidhje kanë 140 deputetë?”, deklaroi përfaqësuesi i opozitës në takimin Shqipëri-PE, Bumçi.

Ndërsa demokratët kanë këmbëngulur që në këtë deklaratë të përfshihen edhe çështje të tjera, si largimet nga administrata apo raste të korrupsionit, eurodeputetja e djathtë në Parlamentin Europian, që kryeson delegacionin e PE-së në Tiranë, u ndal vetëm te kërkesa e parë e PD-së, kur bëri thirrje të kihet kujdes me respektimin e parimeve të hetimit.

Zbatimi i marrëveshjes së plotë të 24 dhjetorit për dekriminalizimin përfshihet në deklaratën e përbashkët të Macovei-t dhe Ballës, dy bashkëkryesuesit e këtij formati, deklaratë që ka bërë optimiste mazhorancën, e që për herë të parë ka artikuluar një datë për çeljen e bisedimeve, ndërsa opozita e konsideron të vonuar këtë fazë.

Si raporton Top Channel, në Prokurorinë e Shtetit deri tash janë pyetur mbi 40 persona. Deputeti denoncues Tom Doshi është paraqitur sërish në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku edhe vijojnë seancat e ballafaqimit dhe të marrjes së deklaratave.

Në dalje të Prokurorisë, deputeti Doshi theu heshtjen duke këmbëngulur se komploti kundër tij është i vërtetë.

“Hetimet vazhdojnë dhe Prokuroria ka material të bollshëm për të punuar. Ajo që është e rëndësishme për ju dhe për opinionin, është se ngjarja është e vërtetë dhe gjatë rrugës së hetimeve gjithçka do të zbardhet”, tha Doshi.

Aktualisht Prokuroria është në pritje të tabulateve telefonike të disa personave, për të provuar nëse ka pasur apo jo komunikim mes denoncuesit dhe njeriut që deklarohet se e ka vënë në dijeni për komplotin deputetin Mark Frroku. /Top Channel/