Dështon Llamkosi, hapet Superliga

Llamkos Kosova ka dështuar sërish, duke barazuar në shtëpi me Dritën dhe për ta hapur kampionatin. Tash, vushtrriasit kanë vetëm katër pikë më shumë se Ferizaj.

Sport

11/05/2014 20:23

Llamkos Kosova nuk di për fitore. Skuadra vushtrriase ka dështuar sërish, duke barazuar në shtëpi me Dritën 1:1, për ta hapur kampionatin e Kosovës në futboll.

Të parët në epërsi kaluan mysafirët me golin e Xhevdet Shabanit, në minutën e 62-të, kurse vushtrriasit barazuan në kohën shtesë, me golin e realizuar nga Bashkim Shala nga penalltia.

Pas këtij barazimi, Llamkosi ka 54 pikë, katër më shumë se Ferizaj, që e mban pozitën e dytë dhe shtatë më shumë se Prishtina, që është e treta.

Fitore shënuan edhe Hajvalia e Trepça ’89. Hajvalia e mposhti Fushë Kosovën në Gjilan, 1:0, me golin e vetëm të realizuar nga Fillim Guraziu në minutën e 76-të.

Kurse, mitrovicasit fituan lehtë kundër Ferronikelit, 3:0.