Dështon gjykimi për korrupsion, sërish lëshohet urdhër për sjellje me detyrim

Ka dështuar të mbahet shqyrtimi fillestar ndaj të akuzuarve për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe manipulim me prova, Faton Ajvazi, Fadil Kastrati dhe Ramadan Buzhala.

Lajme

06/11/2017 17:47

Seanca e paraparë për të hënën, në Gjykatën Themelore të Prishtinës, nuk është mbajtur pasi ka munguar i akuzuari Faton Ajvazi, i cili nuk ka arritur të sillet në gjykatë, edhe pse ndaj tij ishte lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim.

Kryesuesja e trupit gjykues Valbona Selimaj, ka deklaruar se stacioni policor “Qendra”, nuk ka kthyer ndonjë përgjigje se pse nuk është zbatuar urdhëresa e gjykatës.

Në këtë shqyrtim, kanë marr pjesë dy të akuzuarit e tjerë Kastrati e Buzhala, prokurorja Merrushe Llugiqi dhe përfaqësuesja e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Lipjan, Fatime Mustafa.

Por, në mungesë të të akuzuarit Faton Ajvazit, nuk kishte kushte ligjore që të mbahet shqyrtimi fillestar, me ç’rast gjyqtarja Selimaj e ka shtyrë seancën për 7 dhjetor 2017, në orën 9:00.

Ndërkohë, gjyqtarja ka njoftuar se ndaj të pandehurit Ajvazi, do të përsëritet urdhëresa për sjellje me detyrim.

Sipas aktakuzës së vitit 2014, Ramadan Buzhala, akuzohet se ka tejkaluar kompetencat e tij në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, ku si drejtor i zyrës për licencimin, rregullimin dhe vëzhgimin e sektorit të naftës, ka lëshuar vendim mbi shtimin e kodit tarifor 27101945 për subjektin afarist “Kosova Rafineri”, me pronar Driton Zefi, me seli në Lipjan dhe në mënyrë të përshpejtuar nuk ka formuar komision për shqyrtimin e kërkesës edhe pse është dashur ta bëj në ditën e kërkesës më 14.07.2014.

Kurse, Fadil Kastrati, akuzohet se gjatë vitit 2011, në cilësinë ë shefit të garazhit, në Qendrë Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), në Lipjan, si person përgjegjës për vozitësit e emergjencës ka bërë heqjen dhe shkatërrimin e dëshmive të shtatë bidonëve me derivate të naftës, sepse sipas raportit të servisit, pasojë e prishjes së makinës së QKMF-së ka qenë cilësia e dobët e naftës.

Kastrati pretendohet se pesë bidonë të mbushur me naftë i ka tërhequr nga garazhet e QKMF-së dhe i ka hedhur në kanalizim edhe pse ka qenë në dijeni se bidonët e mbushur me naftë do të përdorën si provë.

Ndërsa, Faton Ajvazi akuzohet nga prokuroria se me qëllim që vetës t’i sjellë përfitim pasuror të kundërligjshëm, ka marrë 900 euro ryshfet nga Agon Ratkoceri dhe së bashku me një doganier të panjohur për prokurorinë ka bërë zhdoganimin e veturës “Audi A8”, pronë e “Standart Benz”, dhe ka ulur vlerën e veturës për 2.820.77 €, nga të cilat 2000 euro kanë kaluar në pronë të Ratkocerit, ndërsa tjerat janë ndarë në mes të Ajvazit dhe doganierit, që mbetet i panjohur për prokurorinë.