Dështon fluturimi mbi Paqësor i aeroplanit “solar” (Foto)
Tentimi që me ndihmën e aeroplanit solar të fluturohet mbi Oqeanin Paqësor, është pezulluar për shkak të kushteve të këqija atmosferike. Për këtë “Solar Impulse” është detyruar të aterojë në Japoni.

Bota
Udhëtimi i shumëpërfolur nga Kina në Havai i cili do të duhej të zgjaste plotë gjashtë ditë, është pezulluar pas 36 orëve fluturim.
Tani ekipi i inxhinierëve është në pritje të motit më të mirë, ndërsa piloti zviceran Andre Borsberg i cili piloton i vetëm, ka shkruar në llogarinë e tij në Twitter, se është i zhgënjyer me pezullimin e fluturimit, por se i gëzohet fluturimit të ardhshëm.
Njëri nga ideatorët e projektit Betrand Picard, i cili ka vëzhguar me vëmendje fluturimin nga dhoma e kontrollit në Monako, ka deklaruar se nuk janë aventurist por hulumtues.
“Siguria është prioriteti ynë. Aeroplani është i shkëlqyer, por moti nuk është në anën tonë. Aktualisht kemi aterruar në Nagoya dhe po presim që të zhduken retë dhe të na presë një mot me diell”, ka shtuar Picard.
Për të qëndruar në ajër dhe të fluturojë pa problem, aeroplanit “Solar Impuls” i nevojiten erëra të forta, por njëkohësisht qiell i pastër në mënyrë që 17.000 panelet solare të funksionojnë për mrekulli. Këto panele solare mbushin bateritë me litium-jon, të cilat duhet të jenë plotësisht të mbushura për fluturim të suksesshëm gjatë natës.
Borsberg është një pilot dhe inxhinier me përvojë, i cili i njeh në tersi sistemet e aeroplanëve. Dhe nëse me sukses arrin në Havai, ai do të vë disa rekorde të reja në fushën e aviacionit, duke përfshirë atë për fluturimin më të gjatë me aeroplan me një karrige. Kulmi i projektit “Solar Impulse” është të demonstrojë potencialin e teknologjisë së “pastër”.