Dështon Douglas?
Transferimi i mbrojtësit të Sao Paulos, Douglas në Barcelonë ka hasur në vështirësi pasi në bazë të dënimit të FIFA-s, ai nuk mund të rikthehet në Camp Nou pas një viti huazimi te skuadra braziliane.

Sport
Transferimi i mbrojtësit të djathtë të Sao Paulos, Douglas, në Barcelonë mund të dështojë, ka njoftuar nënkryetari i klubit brazilian, Ataide Gil Guerreiro.
Douglas raportohet se ka arritur marrëveshje për t’u bërë pjesë e gjigantit katalan pasi edhe Sao Paulo e konfirmoi se ka pranuar ofertën e Barcelonës.
Mirëpo, gjithçka është vështirësuar pas vendimit të FIFA-s që ia pamundësoi Barcelonës të realizojë transferime në dy afatet e ardhshme kalimtare të vitit 2015, dhe pikërisht atëherë Douglas ishte paraparë t’i bashkohej gjigantit katalan pas edhe një viti në Sao Paulo, në formë huazimi.
“Ne kemi caktuar gjithçka me Douglasin, por kontratat ende nuk janë nënshkruar”, deklaroi Gill Guerreiro për “Radio Globo”.
“Ekziston një problem që duhet të zgjidhet. Ne kemi kërkuar nga Barcelona që ta huazojë prapa Douglasin tek ne për një vit. Por, me sanksionin e FIFA-s, ata nuk munden. Tani, kemi angazhuar avokatë për të studiuar situatën se qka mund të bëjmë”, u shpreh ai.