Dështon arrestimi i Radovan Radiq

Pjesëtarë të EULEX-it kanë dështuar që ta arrestojnë Radovan Radiq, i cili ndodhet në listën e të kërkuarve të Interpolit dhe dyshohet për një sërë veprash penale, në mesin e të cilave edhe për vrasjen e policit Enver Zyberi.

Lajme

10/04/2014 12:25

Pjesëtarë të EULEX-it kanë dështuar që ta arrestojnë Radovan Radiq, i njohur me nofkën “Krelac”.

Aksioni policorë kishte nisur në orën 4:00 të mëngjesit, mirëpo Radiq paraprakisht kishte braktisur shtëpinë e tij në fshatin Zupç të Zubin Potok, raporton KosovaPress.

Sipas burimeve të KosovaPress, ai ndodhet në listën e të kërkuarve të Interpolit dhe dyshohet për një sërë veprash penale, në mesin e të cilave edhe për vrasjen e policit Enver Zyberi dhe sulmin në stacionin e policisë së Kosovës në Zubin Potok, pak kohë më parë.

Ngjarjen e ka konfirmuar për Kosovapress edhe zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi.

Sipas tij, sot në mëngjes Task Forca e Mitrovicës (TFM), e ndihmuar nga policia e EULEX-it, ka kryer një operacion në fshatin Zupç të Zubin Potokut në lidhje me një urdhër-arrest ndërkombëtar të INTERPOL-it për një individ 32 vjeçar, por dyshuari nuk u gjet.

“Operacioni është kryer si pjesë e një hetimi për vrasje, ku përfshihen veprat penale të vrasjes së rëndë, tentim vrasjes së rëndë, armëmbajtje pa leje, mbajtje në pronësi, kontroll, posedim të armëve, dhe pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, ka thënë Krasniqi.

Ai shtoi se akuzat kanë të bëjnë me vrasjen e pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Enver Zymberi, më 26 korrik 2011 dhe sulmin ndaj konvojit të Policisë së Kosovës në të cilën ai ishte duke udhëtuar në kohën kur u vra.

Në anën tjetër, kryetari i Zubin Potokut, Stevan Vulloviq, ka thënë se ky është edhe një tentim i destabilizimit të situatës në veri nga ana e EULEX-it.

Sipas tij, situata në komunën e Zubin Potokut është e tensionuar.

“Kemi kërkuar nga zëvendës komandanti i policisë në Zubin Potok që të kërkojnë nga EULEX-i për të mos hyrë sot në territorin e kësaj komune, ngase qytetarët e kësaj ane do ta konsideronin një akt të tillë si provokim”, ka thënë mes tjerash Vulloviq.

Ai ka ftuar për sot takim urgjent të katër kryetarëve të komunave veriore për të shqyrtuar situatën më të re të krijuar në këtë pjesë.

(KosovaPress)