Dështoi për në Gjykatën Kushtetuese, ministria e angazhon në Gjykatën e Arbitrazhit

Ministria e Drejtësia që drejtohet nga Albulena Haxhiu ka nënshkruar tri kontrata për mbrojtjen e Kosovës në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtare në Hagë.

Lajme

24/01/2022 21:13

Disa biznese kanë paditur institucionet Kosovës në Gjykatën e Arbitrazhit. Për mbrojtjen në këtë Gjykatë, Ministria e Drejtësisë po angazhon kompani për të ofruar ekspertizë ligjore.

Së fundmi, MD-ja ka lidhur tri kontrata. Të tri kontratat janë lidhur nëpërmjet procedurave të negociuara duke mos lejuar konkurencë të hapur, ku u është bërë ftesë për negocim vetëm disa kompanive të caktuara, shkruan lajmi.net.

Për rastin “IuteCredit”, ekspertiza ligjore i është dhënë  “Zdenek Tuma” nga Çekia. Vlera e përgjithshme e kontratës është 35 000,00 euro.

Ndërsa për rastin “Victory Bedri Selmani” dhe “Mabco- Grandi”,  kontratat i janë dhënë kompanisë nga Prishtina “Legal & Policy Consulting” L.L.C. Vlera e përgjithshme e njërës kontratë është 28 320,00 euro. Të dyja janë mbi 56 mijë euro.

Tri kontratat kanë titullin e përbashkët “Ekspertiza Ligjore Financiare Ekonomike (bankare) për procedurën arbitrazhit”.

Referuar Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë –ARBK, pronarë në kompaninë “Legal & Policy Consulting” janë Arbër Kadriu dhe Vigan Qorrolli. Ky i fundit është edhe drejtor.

Ndonëse në të janë të angazhuar disa avokat, kompania duket se nuk e ka përvojën e duhur ngase ajo është themeluar në gusht të vitit 2020.

Drejtori dhe pronari i saj, Vigan Qorrolli është edhe asistent në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Viteve të fundit, Qorrolli është shfaqur në media si opinionist dhe në qëndrimet e tij, shpesh herë ka “anuar” në Qeverinë aktuale.

Ai ka qenë edhe kandidat për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, por, është rrëzuar në raundin e dytë të votimit për dy pozita të lira në Gjykatën Kushtetuese. Ndërkaq, kandidati tjetër, ish-Avokati i Popullit, Hilmi Jashari ka kaluar në raundin e tretë të votimit. /Lajmi.net/