Dëshmitraja: Fahrudin Radonçiq ka qenë urdhërdhënësi i Naser Kelmendit

Politikani boshnjak dhe manjati i mediave, Fahrudin Radonçiq thuhet se ka qenë personi që ka dhënë fjalën e fundit për çdo vrasje apo aktivitet tjetër të paligjshëm të kryer nga dileri i pretenduar i drogës, Naser Kelmendi, është thënë në gjykatë.

Lajme

17/03/2015 22:00

Dëshmitarja Sejla Turkoviq ka dëshmuar në Gjykatën e Prishtinës të hënën duke thënë se Radonçiq i ka thënë asaj se ai ka qenë personi që i ka dhënë aprovimin veprimeve të Kelmendit.

Radonçiq përmendet shumë herë në aktpadinë 49 faqesh kundër Kelmendit, i cili akuzohet si personi kryesor i një rrjeti të madh trafikimi për transport të drogës nga Afganistani për në Evropën perëndimore, ndërsa qendrën e ka pasur në Sarajevë.

Radonçiq është kryetar i partisë politike Unioni për një të Ardhme më të Mirë, dhe ka shërbyer si Ministër i Sigurisë në Bosnje nga 2012 deri më 2014.

Turkoviq, ish-gazetare e së përditshmes sarajevase “Dnevni Avaz”, gazetë kjo në pronësi të Radonçiqit, kujton takimin e parë me Kelmendin, më 2004 në një hotel, pronë e manjatit në Sarajevë, hoteli “Radon Plaza”.

“Pasi u largua Kelmendi, Radonçiq tha: ‘Ai është njeri i rrezikshëm, është diler droge, dhe nëse dikush duhet vrarë, ai është njeriu që kryen punë, vetëm angazhojeni atë’”, ka dëshmuar Turkoviq.

“Radonçiq ka shtuar se ‘pavarësisht se sa të rrezikshëm janë [shqiptarët], ata ende duhet të marrin aprovimin tim”, ka vazhduar ajo.

Radonçiq ka mohuar përfshirjen në këtë rast, raporton Koha.net.

Turkoviq ka dëshmuar se pas takimit të saj të parë me Kelmendin, ai e ka thirrur atë “me qindra herë tjera” për t’i dhënë asaj instruksione për njerëz për të cilët nuk duhet të shkruante në seritë e saj në “Kronikën e Zezë” në gazetë për krimin e organizuar dhe korrupsionin.

“Ajo që më ka mbetur në kujtime në mënyrë specifike është një artikull për një person nga Sanxhaku, i cili shpërndante drogë në Serbi dhe Gjermani”, shtoi ajo.

“Pasi e shkrova atë tekst dhe i dhash ato informata, Kelmendi më thirri dhe më tha: ‘Të lutëm mos shkruaj më asgjë për këtë person'”.

Turkoviq thotë të jetë penguar të shkruante për gangsterët si ‘Muhamed’ Ali Gashi, Darko Elez, dhe anëtarin aktual të presidencës së Bosnjës, Dragan Coviq, ndërsa Kelmendi kishte kërkuar nga ajo të shkruante artikuj për të diskredituar Asim Fazliqin, i cili asokohe ishte drejtor i degës së Interpolit në Bosnjë.

Në atë që është cilësuar si gjykimi më i madh i krimit të organizuar në Bosnjë në dy dekadat e fundit, bashkëshorti i Turkoviqit, Zijad Turkoviq, ishte dënuar me 40 vjet burgim nëntorin e vitit 2013 për drejtimin e një rrjeti të krimit të organizuar që përfshinte trafikimin me drogë, disa raste të vrasjeve dhe plaçkitje.

Sejla Turkoviq është nën mbrojtje 24 orëshe nga policia dhe shoqërohet gjatë gjithë kohës nga roja të armatosura, transmeton koha.net.