Dëshmitari tregon “planin për vrasjen” e Xhavit Halitit për 250 mijë euro

Prokuroria e Shtetit ka një dëshmi për një plan vrasjeje me pagesë të Xhavit Halitit. Në dëshminë në formë deklarate të shkruar thuhet se vrasja ishte paguar 250 mijë euro nga Ibrahim Kelmendi, ndërsa ekzekutimin do të duhej ta kryente Florim Ejupi.

Lajme

18/03/2015 07:52

Një dëshmitar që pretendon se ka qenë pjesë e një grupi kriminal të përfshirë në disa vrasje, kërcënime, shantazhe e kidnapime, është deklaruar i gatshëm të tregojë para Prokurorisë për këtë që ai e ka quajtur plan.

Dëshmitari i ka telefonuar Halitit, duke i kërkuar falje paraprakisht se ka qenë pjesë e këtij grupi.

Pasi i ka treguar për këtë plan, ia ka dhënë një deklaratë të shkruar, një kopje të së cilës e ka “Koha Ditore”.

Deklarata në zyrën e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Sylë Hoxha, është dorëzuar nga vetë Xhavit Haliti.

Dëshmitari ka dhënë të paktën dy arsye se pse Ibrahim Kelmendi donte ta hiqte qafe Halitin në vitin 2003.

E para, sipas dëshmitarit, kishte të bënte me pretendimin kinse Kelmendi duhej të ishte në vend të Hashim Thaçit, por Haliti nuk e kishte lejuar një gjë të tillë.

E dyta, sipas tij, kishte të bënte me një shumë parash të fondit “Vendlindja thërret” për tërheqjen e të cilave kishin autorizim vetëm Kelmendi, Haliti dhe një person tjetër.

Haliti ka thënë se këtë deklaratë e ka dërguar në Prokurori, duke kërkuar zbardhjen e këtyre pretendimeve, derisa Kelmendi e ka mohuar gjithë këtë.

Ibrahim Kelmendi
Ibrahim Kelmendi