Dëshmitari thotë se si financues kishin vërejtje për projektin e QMF-së në Roganë të Kamenicës

Zyrtari i prokurimit në Komunën e Kamenicës, Sadik Thaçi dhe përfaqësuesi i organizatës “Kosovo Aid and Developement” (KAD), Shaqir Kçiku, kanë dhënë dëshmitë e tyre, të enjten në Gjykatën Themelore të Gjilanit, në gjykimin ndaj Fehmi Jakupit dhe Tafil Oracës.

Lajme

21/12/2017 17:59

Fehmi Jakupi akuzohet se në cilësinë e zyrtarit në Zyrën e Prokurimit në Komunën e Kamenicës, ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare, kurse Tafil Oraca, në cilësinë e pronarit të NN ”Dekor”, akuzohet për mashtrim në detyrë.

Aktakuza ndaj tyre ka të bëjë me pretendimet për keqpërdorime me rastin e ndërtimit të objektit të Qendrës së Mjekësisë Familjare në fshatin Roganë të Komunës së Kamenicës, për të cilin projekt tenderin e kishte fituar kompania NN “Dekor”, me pronar Tafil Oracën, pasi aparatura mjekësore e destinuar për veterinari është blerë dhe është vendosur në këtë qendër.

Përfaqësuesi i organizatës KAD, si financuese e këtij projekti, dëshmitari Shaqir Kçiku, ka deklaruar se ka pasur parregullsi në përfundimin e projektit për ndërtimin e këtij objekti dhe pajisjen e tij me aparaturat mjekësore.

Ai para trupit gjykues të kryesuar nga gjykatësi Aziz Shaqiri, ka deklaruar se në Komunën e Kamenicës, kanë dorëzuar edhe specifikat e kërkuara për aparatin e rëntgenit si dhe një fotografi si do të duket ai.

I pyetur nga ana e prokurorit të çështjes, Arben Kadriu, dëshmitari ka deklaruar se donacioni nga kjo organizatë, për këtë projekt ishte në vlerë prej 120 mijë euro.

Ai ka thënë se i kishte dhënë vërejtje të kontraktuarit Tafil Oraca, lidhur me aparatin e rëntgenit, pasi që sipas tij, kishte dyshime rreth çmimit shumë të lirë.

Kçiku ka thënë se për këtë projekt KAD-i kishte planifikuar 20 mijë euro, ndërsa ai aparat mjekësor ishte blerë rreth 4 mijë euro.

Kryetari i trupit gjykues, ka kërkuar që të sigurohet dokumenti me specifikat e aparatit të rëntgenit, për të cilin dëshmitari Kçiku ka thënë se e kishin dorëzuar në komunë dhe të njëjtin ka shtuar se nuk është i sigurt nëse mund ta sigurojnë, për shkak se sipas tij, në zyrën e tyre ishin shkatërruar disa dokumente nga zjarri.

Kurse, në dëshminë e tij, dëshmitari Sadik Thaçi, zyrtar nga Zyra e Prokurimit në Komunën e Kamenicës, ka mohuar të kenë pranuar specifikacion rreth aparatit, e gjithashtu edhe foton për të cilën bëhet fjalë.

Ai ka deklaruar se specifikacioni lidhur me aparatin dhe fotoja janë paraqitur me vonë dhe janë futur në dosje.

Seanca e radhës është caktuar më 12 shkurt 2018, nga ora 09:30.

Sipas aktakuzës, Fehmi Jakupi në cilësinë e zyrtarit të prokurimit ne Komunën e Kamenicës, akuzohet se duke shfrytëzuar detyrën zyrtare me qëllim të mundësimit të përfitimit të personit tjetër me dashje ka tejkaluar kompetencat dhe ka shkelur mbi detyrat dhe përgjegjësitë e tij të domosdoshme të përcaktuara me ligj.

Ai akuzohet se i angazhuar si zyrtar përgjegjës për përgatitjen e dosjes së tenderit për ndërtimin e Qendrës se Mjekësisë Familjare në Roganë të Kamenicës, edhe pse ka qenë në dijeni lidhur me marrëveshjen ndërmjet KAD dhe KK Kamenicë ka bërë shkelje duke shmangur dokumente me specifikacionin për aparaturën e rëntgenit.

Sipas aktakuzës, pas këtij veprimi me këtë përshkrim të paspecifikuar asnjë detaj, i ka mundësuar operatorit ekonomik fitues të tenderit NN “Dekor” të ketë hapësirë të sjell çfarëdo aparati të rëntgenit në Qendrën e Mjekësisë Familjare në këtë fshat.

Ky keqpërdorim, sipas prokurorisë, është shfrytëzuar nga N.N “Dekor” me pronar Tafil Oraca, i cili në këtë qendër, kishte sjellë aparaturën e rëntgenit të destinuar vetëm për shërbime veterinare.

Vlera e kësaj aparature ishte rreth 4,000.00 euro, përderisa me marrëveshjen në mes KAD dhe KK Kamenicë kishte qenë të investohen rreth 35,000.00 euro për blerjen e këtij aparati, ku komuna ishte dëmtuar për vlerën e mbetur që llogaritet të jetë rreth 31,000.00 euro.

Ndryshe, në cilësinë e pronarit të NN “Dekor” Tafil Oraca, akuzohet se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, në bazë të kontratës së lidhur me autoritetin kontraktues, Komunën e  Kamenicës për ndërtimin e Qendrës së Mjekësisë Familjare dhe pajisjen e saj komplet deri tek aparaturat mjekësore, qendër kjo e paraparë për nevoja të qytetarëve, Oraca pajisë këtë qendër me aparaturën e rëntgenit, e cila sipas prodhuesit është e destinuar për përdorim vetëm në veterinari.

Ai akuzohet se për këtë aparaturë, kur ishte bërë pranimi teknik i objektit dhe i pajisjeve të qendrës ishte dhënë vërejtje nga komisioni, mirëpo vetëm me arsyetimin se i njëjti nuk ishte ashtu siç ishte parapa me marrëveshje.

Sipas prokurorisë, se qëllimi i të akuzuarit Tafil Oraca ka qenë përfitimi i kundërligjshëm nga kjo kontratë tregon edhe realizimi i pagesës prej 20,000.00 euro, përmes  zyrës së përmbaruesit privat Kushtrim Musa, duke e sjellë në lajthim kinse ka skaduar afati për pagesë në mënyrë të vullnetshme, mirëpo kjo pagesë nuk ishte realizuar nga Komuna e Kamenicës, për arsye të vërejtjeve të komisionit në pranimin e aparaturës.