Dëshmitari A flet për maltretimin e tij në burgun e Likocit

Në seancën e së martës kundër \"Grupit të Drenicës\", nëpërmjet videolinkut dëshmitari i mbrojtur i prokurorisë ka thënë se ka qenë i maltretuar gjatë mbajtjes së tij në burgun e Likocit.

Lajme

24/06/2014 20:36

“Torturat që mi kanë bërë në Likoc, në vitin 1998, kanë bërë që unë ta lëshoj Kosovën. Ende e ndjej veten të rrezikuar”, ka deklaruar dëshmitari A, raporton KTV.

Dëshmitari A, i cili ka thënë se gjendet jashtë Kosovës, nëpërmjet video-lidhjes ka thënë se gjatë kohës sa ka qenë në të ashtuquajturin burg të Likocit ishte maltretuar.

“Mua më kanë maltretuar ‘Tigrat e Zi’, Sylejman Selimi dhe vëllezërit Demaku. Unë e kam parë emrin tim në një regjistër dhe kam qenë i treti në listë për tu pushkatuar”, ka vazhduar më tej në dëshminë e parë të tij dëshmitari A. Por, ai nuk ka mundur të thotë se një regjistër të tillë e ka parë më vonë ose nëse ka marrë një kërcënim pas vitit 1998.

Ai ka treguar se ditën e parë që ishte dërguar në Likoc ishte intervistuar nga Muharrem Xhemajli, i cili ishte i shoqëruar nga Rexhep Selimi.

Ndërkaq, sa i përket Sami Lushtakut, dëshmitari A ka thënë se asnjëherë nuk ka pasur probleme me të. Ai gjithashtu ka pranuar se asnjëherë nuk ka qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, raporton KTV.

Ndërkaq, avokati mbrojtës i Jahir Demakut, Mexhid Syla ka thënë se dëshmitari A ka dhënë dëshmi kundërthënëse me ato të dëshmitarëve të tjerë.

“Dëshmitari është kundërthënës me dëshmitë e dëshmitarëve të tjerë e posaçërisht në pikën për të cilën përgjigjet i mbrojturi im, këtu në këtë shqyrtim gjyqësor, as nuk dihet personi i cili kinse është maltretuar prej Sylejman Selimit, siç thotë dëshmitari, as nuk dihet intensiteti i maltretimit as nuk dihet se kur ka ndodhur. Do të thotë, asnjë rrethanë nuk ka që e përcakton veprën penale për të cilën është akuzuar Jahir Demaku për këtë pikë të aktakuzës”.

Seanca do të vazhdojë të mërkurën në mëngjes, ku do të vazhdohet me dëshminë e dëshmitarit A.