Dëshmia e fierakut: E vrava gruan se më solliu gjellën e ftohtë

Burri që vrau parmbrëmë gruan në qytetin e Fierit ishte i alkooluizuar dhe me probleme mendore, ndërsa familjarët e tyre flasin për një dhunë të vazhdueshme në familjen Fili.

Lajme

11/10/2015 10:20

Por mesa duket shkak i nisjes së sherrit fatal ka qenë servirja e gjellës së ftohtë bashkëshortit nga ana e gruas, pasi familja prej dy muajsh ishte në erresirë, pasi rezultonte debitore në OSHE.

Pas ngjarjes tragjike të ndodhur në lagjen “15 Tetori” në Fier, Arqile Fili ka rrëfyer në Polici arsyet dhe detajet e grindjes me të shoqen, që çuan në vrasjen e saj.

Fili ka pranuar se është grindur me të shoqen natën e vrasjes, sepse ajo refuzoi t’i jepte para. Ai është mbrojtur para Policisë duke thënë se nuk kishte qëllim ta vriste.

“Isha i dehur dhe nuk mbaj mend shumë. Por kur hyra në darkë, ajo më kërkoi paratë që më kishte dhënë në mëngjes dhe i thashë se i kisha shpenzuar. I kërkova para për të nesërmen, sepse ajo ngrihej herët se punonte në tregun e perimeve, por refuzoi.

Pas kësaj u grindëm dhe nuk mbaj mend si e kam goditur”,- tregoi ai. Sipas ekspertizës, Fili ka përdorur një gur peshoreje për të vrarë gruan. Ai ka goditur në kokë duke e lënë të vdekur.

Ndërkohë që sot rreth orës 10.00 viktima është përcjellë për në banesën e fundit nga të afërm e familjarë.

Ajo që është vënë re gjatë mbrëmjes së djeshme dhe sot ka qenë edhe mungesa e energjisë elektrike në shtëpinë e çiftit, të cilën OSHE e kish ndërprerë para dy muajsh pasi ishin debitor.

Krimi në familje ka ndodhur mbrëmjen e datës 8 tetor ndërsa 20 orë më vonë u zbulua si ngjarje nga e bija e çiftit.

I shoqi e ka mbajtur kufomën brenda në shtëpi, duke mos lajmëruar askënd për ngjarjen.

Ndërkohë, e bija e tyre e martuar pasi ka tentuar të flasë me prindërit në telefon dhe ata s’i janë përgjigjur ka mbërritur me urgjencë duke parë edhe skenën e rëndë.

Të gjithë të afërmit e njihnin autorin si njeri që konsumonte rregullisht alkool, ndërsa nuk kishin dijeni se ai kishte problem e konflikte me gruan.