“Dëshira ime ishte ta kem në garë, por ai u tërhoq…” – Çka tha Memli Krasniqi dy ditë më parë për Enver Hoxhajn?

Zyrtari i PDK-së, Enver Hoxhaj sot tronditi opinionin publik me një postim për Konventën e partisë. Ai tha se mbajtja e Konventës të hënën është nguti dhe nuk garanton garë cilësore, transmeton lajmi.net. “PDK-ja ka nevojë për drejtim të ri, jo për skema të vjetra; ka nevojë për vizion të ri, jo për ndërrim rolesh.…

Lajme

14/11/2025 10:07

Zyrtari i PDK-së, Enver Hoxhaj sot tronditi opinionin publik me një postim për Konventën e partisë.

Ai tha se mbajtja e Konventës të hënën është nguti dhe nuk garanton garë cilësore, transmeton lajmi.net.

“PDK-ja ka nevojë për drejtim të ri, jo për skema të vjetra; ka nevojë për vizion të ri, jo për ndërrim rolesh. Ky është momenti për t’i hapur rrugën ndryshimit të vërtetë.”, tha ndër të tjera Hoxhaj.

Në muajin qershor, Hoxhaj kishte shprehur ambicie që të garoj për Kryetar.

Në lidhje me këto ambicie, Krasniqi foli dy ditë më parë, në ditën kur lajmëroj dorëheqjen.

“Unë mendoj që është e shëndetshme që të kesh ambicie. Dëshira ime ka qenë që në vitin 2021 të jem në garë bashkë z.Hoxhaj si mik që jemi, edhe pak a shumë njëjtë kemi hy në PDK, me dy muaj dallim. Por, ka qenë vendimi i tij atëherë me u tërhek nga gara dhe mos me marr pjesë, kështu që unë mbeta pa kundërkandidat edhe atëherë edhe herën e dytë. Këtë herë, nëse z.Hoxhaj vazhdon ta ketë ambicien e njëjtë, është e thjeshtë janë kriteret dhe procedurat statutare të cilat e kërkojnë një numër të caktuar nënshkrimesh të delegatëve.”

“Jo vetëm z.Hoxhaj, por kushdo që mundet me pas ambicie, që beson që mundet me çu tutje PDK-në, që mundet me e pas një vizion për qeverinë e ardhshme të vendit edhe me i konkuru Albin Kurtit dhe VV-së meqenëse ata janë të parët në garë, gjithsesi që janë të mirëpritur.”, tha Krasniqi në Rubikon.

Të hënën PDK do të mbaj Konventën e saj, për të zgjedhur kryetarin e ri të partisë.

Deri më tani, vetëm Bedri Hamza e ka bërë publike kandidaturën e tij.

Dy ditë më parë Memli Krasniqi dha dorëheqje nga posti i kryetarit të PDK-së, të cilin e mbajti për mbi 4 vite.

Krasniqi e drejtoi PDK-në në kohë të vështira, derisa tha se nuk largohet shkaku i zhvillimeve në zgjedhjet lokale, por se këtë gjë e kishte menduar më herët.

Pas dorëheqjes nga posti i kryetarit,  Memli Krasniqi ka thënë se nuk e fsheh preferencën e tij për Bedri Hamzën.

Në konferencën për media, Krasniqi ka thënë se kryetari i PDK-së duhet të jetë edhe kandidat për kryeministër.

“Unë jam i bindur që kandidati i PDK-së për kryeministër duhet të jetë Bedri Hamza. Sepse po ashtu jam i bindur se është kryeministri më i mirë që mund ta ketë Kosova sot. Dhe natyrisht që nëse miku im Bedri Hamza kandidon për të qenë kryetar i PDK-së, ai e ka mbështetjen time të plotë. Sepse besoj në lidershipin e tij, dhe besoj se është figura e cila mund t`i prij PDK-së në fazën e ardhshme”, ka thënë ai, duke shtuar se gara për të parin e partisë tash është e hapur.

“Gara është e hapur, kushdo që i plotëson kriteret satutare ka të drejtë me garu, ka pasur gjithmonë. Dy herat që kam garuar unë nuk kam pasur kundërkandidat, nuk mund të them se a do të ketë tash. Nuk mund të them për askënd që do të garojë, por preferencën time për Bedri Hamzën nuk e fshehu, përkundrazi, me kënaqësi e bej publike”, ka thënë Krasniqi.

Pas dorëheqjen se Krasniqit, edhe kryetar i Drenasit, Ramiz Lladrovci, është rreshtuar pas Hamzës.

“Besimi im në sinqeritetin e anëtarësisë, ashtu dhe udhëheqësve të PDK-së, ka qenë i madh. Ky hap i pritshëm i kryetarit të deritashëm, Memli Krasniqi do përshëndetur, njëherësh, duke i ofruar fuqishëm përkrahje kryetarit në ardhje, Bedri Hamza”, ka shkruar Lladrovci në profilin e tij në “Facebook”./lajmi.net/