Derisa ka dialog Kosovë-Serbi, mund të ketë edhe mes shqiptarëve!

Shtetet e Bashkuara kërkojnë vendosjen e dialogut mes forcave politike në Shqipëri. Diplomati amerikan, Jonathan Moore tha se nëse ishte e mundur vendosja e dialogut mes Kosovës e Serbisë, kjo duhet të jetë e mundur edhe mes forcave politike shqiptare.

Lajme

02/04/2014 17:39

Gjatë vizitës dyditore në Tiranë, në një ceremoni për 5-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit, Jonathan Moore, vuri ne dukje rëndësinë e konsensusit politik për ecjen përpara edhe me integrimin në Bashkimin Evropian.

“Pyetja klasike është se në cilën anë janë SHBA-të? Nga partia e kryeministrit Edi Rama, partia e kryebashkiakut Lulzim Basha apo partia e kryeparlamentarit Ilir Meta? Këtu kemi një qëndrim diplomatik. Ne nuk mbajmë anë. Por me lejoni të jem i qartë. Në fakt, ne e kemi marrë një anë, në jemi në krahun e Shqipërisë, në anën e shqiptarëve. Ne duam të shohim konsensus, ne duam të shohim që puna pozitive, e cila ju solli në NATO pesë vjet më parë, të kryhet nga të gjithë dhe vetëm kështu do të shkoni në Bashkimin Europian”, tha Moore, raporton Top Channel.

Moore nuk ngurroi t’u përmendë politikanëve shqiptarë shembullin e bashkëpunimit Kosovë-Serbi, i arritur vetëm përmes dialogut dhe lidershipit të treguar në të dy vendet.

“Nëse ky progres është i mundur mes Kosovës dhe Serbisë, ai lloj progresi duhet të jetë i mundur po ashtu edhe brenda Shqipërisë. Shtetet e Bashkuara shpresojnë se përpjekjet të përbashkëta, pavarësisht gjërave që ju ndajnë, mund të bëhen nga të gjitha forcat politike në Shqipëri, për të ecur drejt Bashkimit Europian”.

“Nëse Shqipëria do të ketë apo jo sukses në qershor, nëse Komisioni Evropian do ta rekomandojë apo jo marrjen e statusit, është jashtëzakonisht e rëndësishme që ju të bëni gjithçka mundeni për të punuar së bashku për atë qellim, për të folur me një gjuhe, dhe për t’u përfaqësuar së bashku”, u shpreh Moore.