Deri sot në Zvicër kanë vdekur 17 të vaksinuar plotësisht: Si shpjegohet kjo?

16:24 | 12 Qershor 2021

Në Zvicër, ashtu si dhe në shumë vende të tjera, kemi prej kohësh një ulje të madhe të numrit të infeksioneve të reja me Covid dhe të të vdekurve nga pasoja e tij.

Por, megjithatë ende regjistrohen raste, ndonëse dukshëm më të rralla, të vdekjes në lidhje me koronavirusin. Për të kuptuar se si shpjegohet kjo dhe nga cilat kategori ka më shumë vdekje, gazeta Blick ka pyetur Zyrën Federale të Shëndetit Publik (BAG).

BAG ka mbledhur të gjitha informacionet mbi statusin e vaksinimit që nga 27 janari. Në 719 raste të vdekjeve të ndodhura gjatë kësaj kohe, dihet nëse njerëzit ishin vaksinuar apo jo. Në 702 nga këto raste (97.6 për qind) njerëzit nuk ishin të vaksinuar ose ishin, por vetëm pjesërisht.

Sipas BAG, nga numri i përmendur, në 17 raste kishin vdekur personat që tashmë kishin marrë të dy dozat e vaksinës. Kjo është 2.4 për qind nga të gjitha rastet e vdekjes në periudhën për të cilën bëhet fjalë.

Për 208 vdekjet tjera që janë raportuar në BAG që nga 27 janari, është e paqartë nëse personat në fjalë ishin vaksinuar apo jo.

Sipas BAG, 16 nga 17 personat e infektuar me korona që kanë vdekur pavarësisht vaksinimit të tyre të plotë, janë njerëz të moshës 80 e më shumë vjeçare. Ndërsa në një rast kemi të bëjmë me një person të moshës midis 50 dhe 59 vjeç.

Zëdhënësi i BAG, Yann Hulmann, nuk është i befasuar me këtë. “Asnjë vaksinë nuk është 100 për qind e efektshme”, thotë ai. “Mund të supozohet se rastet e infeksionit mund të ndodhin edhe tek njerëz plotësisht të vaksinuar”.

Për vaksinat e aprovuara në Zvicër nga Biontech / Pfizer dhe Moderna, efektiviteti është përkatësisht 95 për qind dhe 94 për qind.

Përgjigjja imune ndaj vaksinimit të koronës është më e dobët tek njerëzit e moshuar dhe njerëzit me sëmundje autoimune ose presion imun ndaj ilaçeve, tregojnë studimet. “Efektiviteti i vaksinës mund të ulet me kalimin e moshës”, thotë zëdhënësi i BAG.