Dërguti: Më 9 janar fillon fundi i Qeverisë

Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministrin Hashim Thaçin, të rrënuar nga Gjykata Kushtetuese nuk po e ndalin represionin ndaj aktivistëve Vetëvendosjes, të vetëdijshëm se janë në ditët e fundit të pushtetit.

Lajme

27/12/2015 15:49

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, Aida Dërguti në një konferencë për media ka përmendur rastin e arrestimit të Koordinatorit të Sekretariateve të Vetëvendosjes, Nol Nushit, duke thënë se ky aksion është udhëhequr nga Driton Imeri, komandant i Stacionit Policor Qendra, i cili, sipas saj, njihet mirë për organizimin e përndjekjes dhe rrahjes të aktivistëve të Lëvizjes nëpër stacione policore.

“Mbrëmë Policia e Kosovës ka ndërmarr një aksion të gjerë për arrestimin e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosjes. Policia ka arrestuar kordinatorin e sekretariateve, Nol Nushi dhe janë në kërkim të aktivistëve të tjerë. Udhëheqës i këtij aksioni në Prishtinë ka qenë Driton Imeri, komandat i stacionit Policor Qendra, i cili njihet mirë tashmë për organizimine ndjekjes dhe rrahjes së aktivistëve të Lëvizjes nëpër stacionet policore. Aktivistët e Vetëvendosjes po vazhdohen të arrestohen për protestat kundër marrëveshjeve që tashmë dëshmohen që ishin jokushtetuese”,tha ajo.

Dërguti mes tjerash shtoi se Isa Mustafa e Hashim Thaçi nuk po ndalin represionin edhe pse janë të vetëdijshëm që janë në ditët e fundit të pushtetit të tyre.

“Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi tashmë të rrënuar edhe nga Gjykata Kushtetuese nuk po e ndalin represionin, të vetishëm që janë në ditët e fundit të pushtetit të tyre. Vetëm në vendet totalitare dhe policore ndodh që pushteti në mungesë të argumenteve të përdor dhunë ndaj opozitës. Si pasoj e kësaj 13 deputet janë të përndjekur, 3 prej tyre në burg dhe afër 20 aktivistë po ashtu gjenden në burg. Me vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese u dëshmua përfundimisht që deputetët dhe aktivistët e opozitës kanë vepruar në mbrojtje të republikës dhe rendit kushtetues. Në këto rrethana më 9 janar fillon fundi i këtij sistemi totalitardhe antikushtetues”, tha ajo.

Dërguti shtoi se më 9 janar qytetarët në mënyrë masive do ta kundërshtojnë këtë qeveri kriminale që i shërbejnë vetëm interesave të Serbisë. Ajo bëri thirrje Policisë që mos t’i binden urdhrave që janë të kundërligjshëm, politik, qeveritar për arrestimin e aktivistëve që i dolën në mbrojtje republikës./kp