Deputetja gjermane acarohet nga deklaratat e Vuçiqit: Na paska mashtruar, negociatat me Serbinë të ngrihen

Deputetja e Partisë Liberale Gjermane (FDP) Renata Alt, ka reaguar pas deklaratës së Aleksandar Vuçiq, i cili në një konferencë të përbashkët me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, tha se për herë të parë iu kërkua njohja reciproke me Kosovën.

Lajme

10/06/2022 21:57

Alt ka thënë se Vuçiqi ka mashtruar diplomatët e huaj dhe, së këndejmi, edhe negociatat për anëtarësim të Serbisë në BE duhet të ngrihen, shkruan lajmi.net.

“Negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian me Republikën e Serbisë duhet të ngrihen. Aleksandar Vuçiq na paska mashtruar për një kohë të gjatë”, ka thënë ajo në reagimin e saj në ‘Twitter’.

Vuçiqi përgjatë konferencës së përbashkët me Scholzin tha se për herë të parë po dëgjon që dikush nga Evropa po ia kërkon njohjen reciproke Serbisë.

“Sot e dëgjuam se po na kërkohet njohja reciproke. Kurrë më herët nuk e kemi dëgjuar nga askush prej Evropës se po kërkohet njohja reciproke”, deklaroi i pari i Serbisë.

Kancelari gjerman në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, në Prishtinë, deklaroi se e sheh të paimagjinueshme anëtarësimin e dy vendeve që se njohin njëra-tjetrën në BE, duke konsistuar në Kosovën dhe Serbinë. /Lajmi.net/