Deputeti shqiptar në Parlamentin e Suedisë, “mërgimtari më i suksesshëm”
Bëhet fjalë për deputetin e vetëm shqiptar në Parlamentin suedez, Adnan Dibrani, i cili ka marrë çmimin vjetor për mërgimtarin më të suksesshëm nga Ministria e Diasporës e Kosovës.

Lajme
Në bazë të Ligjit të Diasporës dhe Mërgatës, ministri i Diasporës në detyrë, Ibrahim Makolli, me rekomandim të komisionit pesanëtarësh, për kontribut të veçantë për mërgatën apo shtetin e Kosovës i dorëzoi çmimin vjetor për mërgimtarin/grupin më të suksesshëm të vitit, Adnan Dibranit, deputetit shqiptar në Parlamentin e Suedisë.
Dibrani ka shërbyer si deputet në legjislaturën e kaluar, ndërsa tani sërish garon për një mandat të dytë.
Gjatë dorëzimit të çmimit, Makolli uroi që Dibrani të zgjidhet edhe njëherë deputet në Parlamentin suedez.
“Uroj që z. Dibrani fillimisht të zgjidhet si deputet edhe në legjislaturën e ardhshme të Parlamentit suedez, e më pas me dëshirë do ta shihnim edhe si përfaqësues në Parlamentin Evropian”, tha ministri i Diasporës.
Dibrani, duke falënderuar ministrin e Diasporës për çmimin, tha se edhe pse tani për tani është duke jetuar dhe vepruar në Suedi, ai nuk e përjashton mundësinë që të kthehet në Kosovë, vendin që, si tha, nuk e ka harruar në asnjë moment.