Deputeti i VV-së thotë i bindur se Ura e Ibrit do të hapet: Datë s’kemi përmendur kurrë

Deputeti i LVV-së, Agon Batusha, ka përsëritur edhe sot qëndrimin e Qeverisë se ura mbi lumin Ibër do të hapet. Batusha tha në “Radio Prishtina” se Qeveria nuk është tërhequr nga synimi për hapjen e urës në Mitrovicë, por tha se data nuk është përmendur asnjëherë, duke shtuar se hapja e urës është edhe pjesë…

Lajme

13/09/2024 12:25

Deputeti i LVV-së, Agon Batusha, ka përsëritur edhe sot qëndrimin e Qeverisë se ura mbi lumin Ibër do të hapet.

Batusha tha në “Radio Prishtina” se Qeveria nuk është tërhequr nga synimi për hapjen e urës në Mitrovicë, por tha se data nuk është përmendur asnjëherë, duke shtuar se hapja e urës është edhe pjesë e marrëveshjes së nënshkruar në Bruksel.

“Qeveria nuk është tërhequr nga hapja e urës së Ibrit. Ura do të hapet, datën e saktë nuk e kemi thënë asnjëherë, synimi ynë është të hapet ura e Ibrit. Gjatë testimit të urës u bë shumë zhurmë, por nëse shkojmë më tutje, ajo është pjesë edhe e Marrëveshjes së Brukselit. Derisa ura është e hapur për qarkullim të njerëzve, pse të mos hapet për vetura, kjo është pa kuptim”, tha Batusha në emisionin “Destinim” në “Radio Prishtina”.

Ai shtoi se Serbia tenton të imponojë të mos hapet ura, me synimin që të ndajë territorialisht Kosovën.