Deputeti i AAK-së: Përplasjet me Donikën ishin individuale, t’lumtur që u kthye

Rikthimi i Donika Kadaj Bujupit në AAK, po konsiderohet si gjest pozitiv, madje edhe si diçka e pritshme e normale, nga bashkëpartiakët tashmë të sërishëm të saj.

Lajme

14/03/2018 18:17

Deputeti i AAK-së, Rasim Selmanaj  ka thënë se kthimi i Bujupit në AAK është një ngjarje shumë e lumtur dhe pozitive.

Duke folur për Gazetën Blic, Selmanaj ka thënë se Kadaj Bujupi, ka shumë kontribute në AAK dhe se puna me të është pozitive.

 Është diçka normale dhe pozitive, me Donikën kemi bashkëpunu gjatë dhe ajo ka dhënë kontribut të madh për AAK.

Rikthimi i saj në Aleancë është ngjarje e mirë dhe vullnet i përbashkët me vazhdu me punu.” ka thënë Selmanaj për Gazetën Blic.

Ai ia ka përmendur Bujupit kontributet e dhënë për AAK-në, mirëpo i ka “zhvleftësuar” përplasjet që Kadaj Bujupi kishte me deputetët të AKK-së, kur u largua nga kjo parti, e sidomos ato me Daut Haradinajn, vëllain e kryeministrit.

Selmanaj ka thënë se ato kanë qenë përplasje individuale, dhe se në politikë janë normale.

“Kanë qenë deklarata individuale, dhe përplasjet në  politikë janë bërë normale, më rëndësi është që rikthimi i saj është i mirëpritur” ka thënë Selmanaj.

Në fotografi: Deputeti i AAK-së, Rasim Selmanaj

Ka thënë se nuk ka pasur negociata për kthimin e saj, ngase ajo është kthyer në shtëpinë e vet, dhe vullneti ka qenë i dyanshëm.

Kadaj Bujupi braktisi AAK-në vitin 2016, për tu bashkuar me VV-në.

E për tu kthyer sërish tani në Aleancë.