Deputetët të ndarë rreth themelimit të Tribunalit për UÇK-në

Çështja e krijimit të një Gjykate Speciale lidhur me krimet e luftës në Kosovë ka zgjuar debat të madh në shoqërinë kosovare.

Lajme

17/04/2014 01:36

Inicimi i themelimit të këtij Tribunali është bërë nga publikimi i raporti të Dick Marty-it dhe Kosova ka para vetes dy zgjidhje, ose ta themelojë këtë Tribunal përmes votimit në Kuvend, ose këtë gjë do ta bëjë Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

Teuta Sahatçia nga LDK thotë se pretendimet e Marty-it i duken fantashkencë, por ajo thotë se nëpërmjet krijimit të Tribunalit, emri i Kosovës dhe luftës së UÇK-së do të pastrohej. Këto deklarime ajo i bëri gjatë emisionit Rubikon në KTV.

“Qëndrimi përfundimtar do të merret atëherë kur do të jetë në rend dite dhe kur do të diskutohet”.

“Raporti i Dick Marty-it nuk është diτka që tash ka dalë. Personalisht mendoj se pohimet e tij për trafikimin e organeve më tepër përngjajnë në një film fantastiko-shkencor sesa në një realitet. 

“Ky tribunal do të duhej që të pastronte emrin edhe të luftës edhe të Kosovës. Mendoj, që nëse vazhdon kështu si është, atëherë nuk do të ketë mundësi të pastrimit të emrit, sepse nuk besoj që me mos themelimin e një Tribunali të tillë, emri i Kosovës do të mund të pastrohej. Mendoj që me këtë më tepër do të përfitojmë me përmbylljen e këtyre insinuatave, që besoj se nuk do të dalin të vërteta”.

Por, kështu nuk mendon Rexhep Selimi, nga Vetëvendosje. Ai thotë se Serbia ka nevojë të pastrohet nga krimet e kryera në Kosovë dhe se lufta e UÇK-së ka qenë e pastër dhe nuk ka se si të pastrohet.

“Nuk besoj në këtë qasje se përmes kësaj gjykate do të pastrohet emri i Kosovës, sepse besoj se emri i Kosovës nuk është i njollosur. Lufta jonë ka qenë shumë e drejtë dhe ka qenë shumë e pastër dhe këtë pastërti e kemi vërtetuar”. 

 “Përkundrazi, ata që duhet të pastrohen janë tjetërkund, janë në Beograd, Serbia është e ndytë dhe ka nevojë të pastrohet”.

“Kjo gjykatë është një padrejtësi ndaj shqiptarëve në përgjithësi”.

E deputetja e AAK-së, Donika Kada-Bujupi thotë se lufta e Kosovës është dëshmuar se ka qenë e pastër gjatë proceseve gjyqësore në Hagë. Ajo thotë se pretendimet e Marty-it po vazhdojnë ta njollosin luftën e Kosovës.

“15 vite pas luftës, Kosova vazhdon të mbetet peng i një teme, e një akuze. UÇK ka bërë një luftë çlirimtare”.

“Në rastet që kanë qenë pretendime Kosova ka qenë ndër vendet e para në rajon e cila i ka thënë po bashkëpunimit edhe në Tribunal të Hagës. Kemi konsideruar se ky është një kapitull i mbyllur, ku është dëshmuar pretendimi se brenda UÇK-së ka mundur të ketë edhe veprime të bazuara jo në etikën dhe ligjet e luftës. Por është dëshmuar në proceset tepër të mundimshme e kundërta”.

“Është padrejtësi e radhës që po i bëhet Kosovës”.

Ndërkaq, ish-komandanti i UÇK-së, Naim Maloku thotë se deputetët akoma kanë shumë gjëra të paqarta rreth këtij Tribunali. Ai thotë se duhet shikuar nëse ka ndonjë opsion tjetër.

“Ne ende nuk e dimë për cilin afat kohor flitet, a është për vitin 98, 99 apo për vitin 2000. Në esencë, thuhet se kjo gjykatë po ndërtohet mbi bazën e akuzave të Dick Marty-it për trafikim të organeve, akuza këto të bazuara në librin e Carla del Ponte”.

“Çështja tjetër që duhet ta kenë parasysh deputetët kur të votojnë është a ka rrugëzgjidhje tjetër. Nëse janë vetëm dy variante, një që kjo të kalojë në Kuvend ose në OKB, atëherë konform këtij kufizimi, duhet të reflektojmë të gjithë. Nëse nuk ka një rrugë të tretë, atëherë mendoj se deputetët e Kosovës duhet të zgjedhin variantin më pak të dhimbshëm”.

Ndërkaq, Berat Buzhala, nga PDK, thotë se fillimisht e kanë marrë me përbuzje Dick Marty-in dhe raportin e tij.

“Ma ka marrë mendja se gjërat janë duke shkuar në këtë drejtim prej momentit kur Dick Marty ka nxjerr raportin e tij. Dick Marty nuk ka qenë një senatorë i Këshillit të Evropës dosido, përkundër faktit se ne fillimisht jemi tallur me të”, tha ai në Rubikon të KTV-së.