Deputetët kërkojnë sqarime nga Haradinaj rreth Demarkacionit

Kanë vazhduar mospajtimet ndërmjet deputetëve të partive politike në pushtet dhe atyre në opozitë lidhur me Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për kufirin shtetëror në mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Lajme

20/12/2017 17:22

Në Komisionin për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, ku ndodhet aktualisht Projektligji, nuk ka qenë e mundur të shqyrtohet projektligji i proceduar nga Qeveria, pasi që ka pasur mendime të ndryshme se kur dhe në cilat rrethana duhet shqyrtohet ai.

Komisioni pas disa kundërshtimeve mes deputetëve, vendosi që më 26 dhjetor të mbahet takimi i radhës dhe aty u ftuan të marrin pjesë edhe kryeministri Ramush Haradinaj, dhe anëtarët e Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror.

Kryetarja e komisionit, Vjosa Osmani, [deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës] tha se deputetëve të këtij komisioni parlamentar u duhet kohë shtesë për shqyrtimin e projektligjit, por edhe dokumenteve të komisioneve shtetërore, si atij aktual ashtu edhe atij paraprak. Ajo ka kritikuar edhe Qeverinë e Kosovës për mënyrën se si e ka sjellë në Kuvend këtë projektligj.

Projektligji, u është dorëzuar deputetëve bashkë me raportin e Komisionit Shtetëror për Kufirin, i emëruar pas formimit të Qeverisë së re të Kosovës dhe i cili kishte konstatuar se puna e Komisionit të kaluar ishte e gabuar në lidhje me shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, mbi bazën e të cilit ishte nënshkruar marrëveshja në gusht të vitit 2015, ndërmjet Prishtinës dhe Podgoricës.

“Është e papërgjegjshme ta akuzosh një komisioni shtetëror, që ka qenë paraprak, për kryerje të veprës penale dhe të mos ndërmarrësh asgjë lidhur me sqarimin e një pretendimi të tillë, por, të kërkosh që për pretendime të tilla të merret vendim politik”.

“Vota e deputetëve është votë politike. Ne nuk jemi dikush që heton harta për ta determinuar a ka pasur vërtet falsifikim apo jo, sepse as nuk mendoj se kemi në Kuvend ekspertë të tillë. Është mirë që Qeveria thjesht të mos e konsiderojë që ta heq barrën prej vetës dhe pretendime të tilla kaq serioze t’i bartë te deputetët”, tha Osmani.

Ndërkohë, disa nga deputetët e partive në pushtet në këtë Komision thanë se nuk është e nevojshme të humbet kohë me takime tjera, pasi që siç thanë ata, qëndrimet e deputetëve dhe subjekteve politike lidhur me Demarkacionin me Malin e Zi, tashmë janë publike.

Elmi Reçica, anëtar i komisionit nga Partia Demokratike e Kosovës, tha PDK ka qëndrimin e qartë rreth Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi. Sipas tij, nuk duhet humbur kohë dhe Kuvendi duhet ta ratifikojë atë sa më shpejt.

“Ne e kemi qëndrimin e qartë si PDK. Kurdo që të vijë Marrëveshja në seancë, ne atë [marrëveshje] do ta votojmë, sikurse që do ta votojmë edhe këtu në komision “, tha Reçica.

Ndërkaq, deputeti dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri tha se është në përgjegjësi të kryeministrit Haradinaj të sqarojë pretendimet për falsifikim të hartave, siç është thënë në raportin e komisionit aktual.

Ai tha po ashtu se më e rëndësishme është të dihet se si do të diskutohet Marrëveshja për demarkacion sesa ajo se kur do të diskutohet.

“Ne kemi pasur vlerësime të ndryshme për sa i përket situatës nga komisione të ndryshme, herë të krijuara nga ish-presidentja [Atifete Jahjaga] e herë nga kryeministri i kaluar [Isa Mustafa], mirëpo ende nuk ka një elaborat të saktë të procesit se si ka vajtur deri këtu dhe si është vendosur mes komisioneve shtetërore që kufiri të jetë aty ku është vendosur në marrëveshje, e i cili pastaj demantohet me të gjitha pikat gati se ,nga raporti i fundit i komisioni shtetëror i mandatuar nga kryeministri Ramush Haradinaj . Mendoj se këto janë informata shtesë që Kuvendi ka nevojë t’i di. Për mua është e rëndësishëm që diskutimin ta bëjmë në komision dhe të kemi edhe përfaqësuesin e Qeverisë”, tha Ymeri.

Ai tha po ashtu se Vetëvendosje do të jetë kundër marrëveshjes si në komision ashtu edhe në seancën e Kuvendit.

Ndërkaq, Zafir Berisha deputet nga Nisma për Kosovën, ka kundërshtuar shtyrën e mbledhjes së komisionit ku parashihej të shqyrtohet Marrëveshja për demarkacionin. Ai tha se nuk duhet të krijohen praktika të reja që mbledhjet të shtyrën pa ndonjë arsye.

“Mendoj se kjo temë tash më është e konsumuar dhe qëndrimet janë. Unë mendoj se prezantimi i dy të vërtetave [nga komisionet] për ëetë çështje [demarkacionin] natyrisht se do përgjigje politike dhe atë do ta japim”, tha ai.

Ratifikimi i Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, vazhdon të mbetet një prej çështjeve më të diskutuara në skenën politike të Kosovës.

Kjo marrëveshje tashmë ndodhet në Kuvendin e Kosovës, por ende nuk dihet se kur do të procedohet në seancë plenare për votim.

Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi është nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë. Atë kohë, parti partnere në qeverisje ishin Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Në praninë e ndërkombëtarëve, Prishtina dhe Podgorica kanë nënshkruan Marrëveshjen për demarkacionin. Kjo Marrëveshje ishte ratifikuar nga Kuvendi i Malit të Zi, por jo edhe nga ai i Kosovës.

Në Prishtinë, ka pikëpamje të ndryshme rreth kësaj marrëveshjeje, e cila më zëshëm është kundërshtuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, përkatësisht partia e kryeministrit aktual të Kosovës, Ramush Haradinaj.