Deputetët e pavarur kërkojnë të drejtë vote nëpër komisione parlamentare

Deputetët e pavarur në Kuvendin e Kosovës po ndihen të diskriminuar në raport me deputetët tjerë. Ata kanë të drejtë të votojnë nëpër seanca parlamentare por jo edhe në komisione parlamentare.

Lajme

12/05/2015 12:08

Deputetët të cilët nuk i përkasin asnjë partie politike, po kërkojnë që në rregulloren e re të bëhen ndryshime që u mundëson deputetëve të pavarur, përveç diskutimit ta kenë edhe të drejtën e votës.

Ndërsa, edhe kryetari i nën komisionit për Mandate, Imunitete dhe Rregullore, Armend Zemaj mendon se një e drejta e votimit të projektligjeve, nismave e dokumenteve, duhet t’iu garantohet deputetëve të pavarur me rregullore të punës së Kuvendit.

Deputetja e pavarur Margarita Kadriu, thotë për KosovaPress se meqë do të ndryshohet rregullorja e punës së Kuvendit dhe do të hartohet ligji për Kuvendin, patjetër duhet që edhe e drejta për votë në Komisione, sepse është antikushtetuese.

Sipas saj, është absurde që deputeti i pavarur të ketë të drejtë vote në seancën plenare për çështje të ndryshme, derisa për të njëjtat nuk mund të votoj në komisione.

“Kjo është e rregulluar në mënyrë të padrejtë dhe në mënyrë anti kushtetuese me rregulloren e Kuvendit. Pasi jemi në procedurë të rregullimit, gjegjësisht të korrigjimit të rregullores së Kuvendit dhe ligjit për Kuvendin, biseduam me kolegët e të gjitha partive politike që patjetër që në mesin e shumë ndryshimeve që do të bëhen në rregullore dhe në ligjin për Kuvendin të bëjmë edhe këtë ndryshim, sepse konsiderojmë se kjo është anti-kushtetuese dhe nuk mundet që deputeti të ketë të drejtë vote në sallën e Kuvendit, ndërsa të mos ketë të drejtë vote në komisione të ndryshme ku edhe japin kontributin e tyre”, tha Kadriu.

Deputetja Kadriu e cila kishte kandiduar në listën e PDK-së, por që doli deputete e pavarur, shton se për këtë kërkesë të tyre, ka marr mbështetje edhe nga kolegët e partive politike.

3

Mirëpo, sipas saj, ky diskriminim që po bëhet ndaj deputetëve të pavarur vjen nga koalicioni qeverisës që prej pas luftës, pasi gjithmonë e kanë problemin tek numrat që të mos prishet balanci dhe koalicioni të ruaj numrat.

Edhe deputeti tjetër i pavarur, Gëzim Kelmendi tha për KosovaPress se mohimi i të drejtës së deputetit të pavarur që të votojë në Komisione Parlamentare, jo vetëm që është diskriminues por edhe standard i dyfishtë.

“Jo vetëm që është diskriminuese, por është në një formë edhe standard i dyfishtë, pasi deputeti i njëjtë i pavarur në seancë ka të drejtë vote, ndërsa në komisione parlamentare s’ka të drejt vote. Por kjo nuk është e rastësishme, ky vendim është i partive të mëdha qysh në fillim të legjislaturave në Kosovë. Kjo është bërë me të vetmin qëllim që t’i parandaloj deputetët të ndahen prej grupeve të tyre parlamentare dhe në një formë ta pengojnë deputetin të ketë lirinë e shprehjes dhe të menduarit. Do të thotë të cenojnë të drejtën dhe pavarësinë e deputetit, kjo është bërë e qëllimshme, nuk është aspak e drejtë, nuk është parimore dhe është standard i dyfishtë që deputetit në të njëjtën kohë i lejohet të jetë pjesë e seancës të votoj në seancë ndër në komisionin parlamentar nuk ka të drejtë”, theksoi deputeti Kelmendi.

2

Por, me rregulloren e re, e cila pritet që shumë shpejt të dal në shqyrtim para deputetëve, deputetëve të pavarur do t’u jepet më shumë hapësirë në Komisione.

Kryetari i nën komisionit për Mandate, Imunitete dhe Rregullore Armend Zemaj, thotë se rregullorja duhet të rishikohet dhe e drejta e deputetëve të pavarur për vendimmarrje në Komisione duhet t’u garantohet me rregullore.

“Është një çështje që duhet të rishikohet, faktikisht nga ajo që ka qenë në të kaluarën me rregulloren e vjetër. Me rregulloren e re besoj se do t’i japim hapësirë ashtu siç u takon me të drejtë dhe me Kushtetutë, por edhe mbi përgjegjësitë dhe të drejtat e deputetit që të jenë pjesë e trupave punues të Kuvendit… Por mbi të gjitha unë mendoj që e drejta e deputetëve të pavarur që të jenë vendimmarrës në trupat punese duhet ë jetë e garantuar edhe me rregulloren e punës së Kuvendit”, u shpreh Zemaj.

1

Sipas tij, deri me tani nuk u është bërë e padrejtë deputetëve të pavarur, meqë nuk ka qenë mirë e rregulluar shpërndarja e fuqisë politike nëpër komisione, mes asaj që ata e quajnë pozitë dhe opozitës.

Aktualisht janë katër deputetë të pavarur, Blerim Shala, Margarita Kadriu, Gëzim Kelmendi, Nenad Rashiq, derisa Shaip Muja të cilit në Kuvendin e Kosovës është i regjistruar si deputetë i pavarur, ai vet thotë se nuk është deputetët i pavarur, por vetëm nuk i koordinon aktivitetet me Grupin Parlamentar të PDK-së, sepse ende është pjesë e tij. (Kosovapress)