Deputetët e painteresuar të votojnë, në mungesë kuorumi Kuvendi shkon në pauzë

Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës ka shkuar në pauzë.

Lajme

19/06/2019 12:35

Dita e sotme e punimeve të seancës plenare u karakterizua me bojkot të votimeve nga deputetët e pranishëm në sallë, shkruan lajmi.net.

Deputetët u treguan të painteresuar që të votojnë pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara plenare.

Në mungesë kuorumi nuk u votuan as tri Rezolutat që tash e një kohë kanë mbetur pezull pas përfundimit të debateve parlamentare.

Të votohej nuk arriti as Rezoluta për dështimet e Politikës së Jashtme të Kosovës, e as ajo për angazhimet e presidentit Thaçi në dialogun me Serbinë, ku përmendet shkëmbimi i territoreve.

Diskutime në Kuvend pati edhe për sponzorizimin, ndërkaq që debat u zhvillua më së shumti për financimin e sportistëve kosovarë.

Pauza e Kuvendit të Kosovës është paraparë të zgjasë deri në orën 15:00, mirëpo kryesuesi i seancës, Xhavit Haliti ka thënë se e njëjta mund të mos vazhdojë nëse vazhdon situata e njëjtë me kuorumin. /Lajmi.net/

Lexo edhe:

Nuk votohen Rezolutat për presidentin dhe dështimet e politikës së jashtme të Kosovës