Deputetë të Kuvendit të Kosovës ftohen të marrin pjesë në një debat në Beograd

Zyrtarë të institucioneve të Kosovës janë ftuar të marrin pjesë sërish në një debat të organizuar në kryeqytetin e Serbisë, Beograd.

Lajme

21/04/2015 17:45

Pas bujës së madhe politike dhe mediatike të shkaktuar nga ftesa që zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte marr nga një OJQ serbe për të marr pjesë në një debat në Beograd, autoritetet serbe, me sa duket, do të ballafaqohen edhe me një situatë tjetër të ngjashme.

Kësaj radhe janë disa deputetë të Kuvendit të Kosovës, të cilët janë ftuar të jenë pjesëmarrës në një tryezë të rrumbullakët të organizuar nga Këshilli për Qeverisje Gjithëpërfshirëse (CIG) nga SHBA-të, e që do të mbahet në Beograd.

Burime të lajmi.net brenda Kuvendit, kanë bërë të ditur se 9 deputetë, nga parti të ndryshme shqiptare e serbe në legjislativin e Kosovës, janë të ftuar të marrin pjesë në këtë debat i cili do të mbahet nga 24 deri më 26 prill.

Deputetët e ftuar janë Besim Beqaj, Blerta Deliu-Kodra dhe Ganimete Musliu nga PDK, Sadri Ferati, Bardhyl Meta dhe Lirie Kajtazi nga LDK, Teuta Haxhiu nga AAK, Ilir Deda nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Sllobodan Petroviq nga Lista Serbe.

Ende nuk dihet nëse këta deputetë do të mund të udhëtojnë për në Beograd, pas refuzimit që autoritetet serbe i bënë për një vizitë të tillë ministrit të Jashtëm Thaçi.(Lajmi.net)