Departamenti Amerikan i Shtetit i përgjigjet Kurtit: Nuk ka marrëveshje për shkëmbim territoresh Kosovë – Serbi, janë spekulime

Departamenti Amerikan i Shtetit i është përgjigjur kryeminsitrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti në deklaratat e tij se ka një marrëveshje të fshehtë për shkëmbim territoresh midis Kosovës dhe Serbisë.

Lajme

26/03/2020 22:22

Në komunikatën e Departamentit të Shtetit thuhet se nuk ka një marrëveshje të tillë dhe nuk ekziston, duke i quajtur spekulime pretendimet se një marrëveshje e tillë ekziston, shkruan lajmi.net.

Më tutje, në këtë komunikatë thuhet se SHBA-të po mbështesin rritjen ekonomike në Kosovë dhe DASH kërkon heqjen e plotë të tarifës 100 për qind ndaj Serbisë.

Kjo është komunikata e plotë:

Shtetet e Bashkuara janë me njerëzit e Kosovës. Ne i lavdërojmë përpjekjet e vazhdueshme të profesionistëve shëndetësorë dhe të tjerëve që janë duke punuar shumë, në rrezik të madh, të reduktojnë përhapjen e COVID19 në Kosovë. Në këtë kohë të pasigurisë, ne nxisim krerët e Kosovës që të ndjekin Kushtetutën e Kosovës dhe sundimin e ligjit. Ne jemi të përkushtuar të punojmë me çdo qeveri të formuar përmes proceseve kushtetuese.

Për më tepër, ne vazhdojmë t’i nxisim udhëheqësit e Kosovës që të heqin plotësisht tarifat. Ne besojmë se tarifat po dëmtojnë popullin e Kosovës duke penguar bashkëpunimin rajonal kundër COVID19 duke përfshirë edhe vonesat për hyrjen në Kosovë të furnizimeve të nevojshme dhe udke penguar rritjen ekonomike.

Ne duam të sqarojmë se nuk ka asnjë plan të fshehtë për shkëmbime territoriale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë siç kanë spekuluar disa. I dërguari i posaçëm presidencial Richard Grenell nuk e ka parë dhe as diskutuar një plan të tillë kurrë. Përqëndrimi i qeverisë amerikane në mbështetjen e marrëveshjeve të fundit për të rivendosur lidhjet ajrore, hekurudhore dhe tokësore midis Kosovës dhe Serbisë synon të përmirësojë ekonominë dhe të krijoj rritje ekonomike. Ne besojmë se kjo rritje do t’i japë energji të re procesit të dialogut që do të çonte në njohje të ndërsjellë.

Për këtë “marrëveshje të fshehtë”, Kurti është deklaruar edhe dje në seancën ku u votua mocioni për rrëzimin e qeverisë së tij. /Lajmi.net/ 

Kurti: Nuk e kam marrëveshjen sekrete Kosovë – Serbi, ama ka marrëveshje