Denoncohen në Prokurori zyrtarë publikë, 31 nga veriu i Kosovës

Agjencia Kundërkorrupsion ka bërë kallëzime penale për mosdeklarim të pasurisë ndaj zyrtarëve publikë që nuk e kanë deklaruar pasurinë, në mesin e të cilëve janë edhe 31 zyrtarë nga komunat në veri të vendit. 

Lajme

29/06/2014 11:26

Në bazë të Ligjit për deklarimin dhe prejardhjen e pasurisë, të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë janë të obliguar që pasuritë e tyre t’i deklarojnë në Agjencinë e Kosovës kundër Korrupsionit (AKK). Mirëpo, siç shkruan gazeta Kosova Sot, ky obligim ligjor po refuzohet nga një pjesë e madhe e zyrtarëve komunalë në veri. Pos mosnjohjes së shtetësisë së Kosovës, ata hezitojnë t’iu binden edhe obligimeve ligjore për deklarimin e pasurisë së tyre.

Drejtuesit e AKK-së kanë bërë të ditur se tashmë janë ngritur kallëzime penale ndaj të gjithë zyrtarëve publikë të cilët nuk e kanë deklaruar pasurinë, përfshirë këtu edhe 31 zyrtarë nga pjesa veriore e Kosovës, shkruan Kosova Sot.

Sipas kreut të AKK-së, Hasan Preteni, “në qoftë se Gjyqësori vepron sipas mandatit që ka, të padisiplinuarit duhet të sanksionohen penalisht”.