Dënohet gjilanasi që ua mësonte xhihadistëve përdorimin e AK47

Gjykata Themelore në Gjilan ka njoftuar se ka dënuar me tri vite burg të akuzuarin F. B., për veprën penale organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist.

Lajme

10/03/2016 14:35

“Një trup gjykues i Departamentit të Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Gjilan, ka shpallur Aktgjykimin PKR.40/2016. Pas pranimit të fajësisë në tërësi nga i akuzuari F. B., trupi gjykues e ka dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 3 (tre) vite. I akuzuari F. B., shqiptar, shtetas i Kosovës është shpallur fajtor, sepse me datë 17 shkurt 2015, i’u ka bashkangjitur organizatës terroriste ISIS, e cila organizatë është shpallur terroriste nga Kombet e Bashkuara. Duke ju bashkuar kësaj organizate i akuzuari, ka kryer trajnimin teorik dhe praktik për përdorimin e armës së zjarrit AK-47 dhe bombës së dorës”, thuhet në njoftim.

Trupi gjykues ka dënuar me tre vite burgim, të cilin dënim i akuzuari do të vuaj pas plotfuqishmërisë së këtij Aktgjykimi, ndërsa nga sot masa e paraburgimit i ndërpritet të akuzuarit.

Palët gëzojnë të drejtën e kontestimit të këtij Aktgjykimi në Gjykatën e Apelit. /lajmi.net