Dënohen me nga 2.5 vjet burg për vjedhjen e 1.3 milion eurove

Artan Jelliqi dhe Haki Januzi janë shpallur fajtorë nga Gjykata Themelore në Prishtinë për vjedhjen e disa stolive dhe gjërave të tjera të shtrenjta dhe të dy janë dënuar me nga dy vjet e gjysmë burgim.

Lajme

12/05/2014 19:01

Rasti i ashtuquajtur ‘vjedhja spanjolle’ mban në vete përgjegjësinë për vjedhjen e stolive dhe gjërave të tjera të vlefshme në vlerë prej rreth 1.3 milion euro nga një dhomë hoteli në Barcelonë, më 20 korrik të vitit 2009.

“Vjedhja ka ndodhur më 20 korrik 2009 në hotelin Arts në Barcelonë, ku të pandehurit, së bashku me dy bashkë-të pandehur (njëri prej të cilëve tashmë është dënuar ndërsa tjetri gjendet në arrati), hynë në dhomën ku ishte i vendosur z. Masrour Barzani, i biri i Presidentit të Rajonit të Kurdistanit në Irak, dhe i vodhën gjëra të çmuara. Stolitë dhe gjërat e tjera më pas u sollën në Kosovë”, thuhet në njoftimin e EULEX-it, transmeton KosovaPres.

Ky rast është hetuar nga Policia e Kosovës, e udhëhequr nga një ekip i përzier në të cilin ishte i përfshirë një prokuror ndërkombëtar dhe një prokuror i Prokurorisë Themelore të Prishtinës.