Dënohen me mbi 12 vjet burgim nëntë të akuzuarit për dëmtim të buxhetit mbi 2 milionë euro

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë në rigjykim, ka dënuar me 12 vjet e 9 muaj burgim të akuzuarit Shaip Ferizin, Shqipe Avdiun, Arben Jasharin, Mustafë Vitinë, Mexhid Mustafën, Besnik Ferizin, Faton Topanicën, Arsim Topanicën si dhe Ajdar Jasharin, të cilët ngarkoheshin nga Prokuroria për disa vepra penale. Ata akuzoheshin se cigaret në vlerë prej…

Lajme

16/09/2024 19:37

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë në rigjykim, ka dënuar me 12 vjet e 9 muaj burgim të akuzuarit Shaip Ferizin, Shqipe Avdiun, Arben Jasharin, Mustafë Vitinë, Mexhid Mustafën, Besnik Ferizin, Faton Topanicën, Arsim Topanicën si dhe Ajdar Jasharin, të cilët ngarkoheshin nga Prokuroria për disa vepra penale.

Ata akuzoheshin se cigaret në vlerë prej 2 milionë e 931 mijë e 929 euro e 08 cent, nuk i kishin dorëzuar në KFOR, por u kishin shitur kompanive të tjera pa banderolë, duke i shkaktuar evazion fiskal buxhetit të Kosovës, në shumë prej 2 milionë e 441 mijë e 927 euro e 71 centë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi ndaj tyre u shpall të hënën nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Arben Hoti.

Të akuzuarit Shaip Ferizi, Shqipe Avdiu dhe Arben Jashari secili veç e veç është dënuar me nga 2 vite burgim.

Ndërsa, të akuzuarit Faton e Arsim Topanica dhe Besnik Ferizi janë dënuar secili veç e veç me nga 1 vit e 6 muaj burgim.

Të akuzuarit Ajdar Jashari, Mustafë Vitija dhe Mexhid Mustafa janë dënuar secili veç e veç me nga 9 muaj burgim.

Sipas aktgjykimit, të akuzuarve në dënim do tu llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak.

Ndërkaq, e dëmtuara, Dogana e Kosovës për realizmin e kërkesës pasurore-juridike është udhëzuar në kontest civil.

Po ashtu, gjykatësi Hoti bëri të ditur se do të konfiskohen mjetet e kryerjes së veprës penale si dhe dobia e fituar nga vepra penale.