Dënohen me kusht 4 nga 5 policët kufitar të akuzuar për keqtrajtim të gjykatësit Driton Muharremi dhe babait të tij

Gjykata Themelore në Prizren, të mërkurën, ka shpallur aktgjykim dënues për të akuzuarit Fatmir Berisha, Bafti Hoxha, Idriz Idrizi dhe Gëzim Berisha, të akuzuar për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike.

Lajme

13/06/2018 18:52

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësja e rastit, Shpresa Emra, të akuzuarit janë dënuar me nga katër muaj burgim, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse brenda afatit prej një viti nuk kryejnë vepra të reja penale.

Ndërsa i akuzuari Ilir Zogaj është shpallur i pafajshëm pasi që, sipas gjyqtares Emra, nuk është arritur të provohet se i njëjti ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohej.

Ndryshe, Ilir Zogaj, Fatmir Berisha, Bafti Hoxha, Idriz Idrizi dhe Gëzim Berisha, akuzoheshin nga Prokuroria Themelore në Prizren, se më 5 prill 2015, duke vepruar si zyrtarë policorë, kanë keqtrajtuar të dëmtuarit Driton dhe Halit Muharremin.

Sipas aktakuzës, derisa të dëmtuarit po kalonin në pikën kufitare në Vërmicë, i akuzuari Fatmir Berisha fillon t’u bërtasë se pse kanë hyrë në semafor të kuq, u merr dokumentet fillimisht, ndërsa më pas shkon në stacion policor për të kërkuar asistencë të kolegëve, raporton betimiperdrejtesi.com.

Tutje në aktakuzë thuhet se në asistim kanë ardhur të akuzuarit Ilir Zogaj, Bafti Hoxha, Idriz Idrizi dhe Gëzim Berisha, të cilët me forcë kanë tërhequr zvarrë të dëmtuarit Driton dhe Halit Muharremin nga automjeti deri në stacionin policor, me ç ‘rast u kanë shkaktuar dëmtime të lehta trupore.

Sipas organit të akuzës, të akuzuarit me këto veprime kanë kryer veprën penale të “keqtrajtimit gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.