Dënohen me burgim me kusht dhe me gjobë të akuzuarit për përleshjen në “Hangover”

Bëmirës Dervishdana dhe Ilir Kameri, të martën, janë dënuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë, me nga një vit burgim me kusht, për veprat penale “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “lëndim i rëndë trupor”, për rastin e përleshjes në diskotekën “Hangover” në Gjakovë.

Lajme

07/11/2017 19:26

Mirëpo, dënimi me burgim ndaj tyre, nuk do të ekzekutohet në afat verifikimi prej dy vjetësh.

Po ashtu, Bëmirës Dërvishdanës, i është shqiptuar edhe dënimi me gjobë prej 1500 euro, si dhe i është konfiskuar revolja. Kurse, për veprën penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, prokurori është tërhequr nga ndjekja penale. Gjithashtu, edhe për tre të akuzuarit tjerë, Gurakuq Alimehaj, Gurakuq Haradinaj dhe Gjenial Dervishdana, prokurori Agron Matjani, është tërhequr nga ndjekja penale.

Gjykata Themelore në Gjakovë, me kryetar të trupit gjykues, Gëzim Pozhegu, ka shpallur këtë aktgjykim pas aprovimit të marrëveshjes për pranimin e fajësisë të arritur midis Prokurorisë Themelore në Gjakovë dhe dy të akuzuarve Bëmirës Dervishdana dhe Ilir Kameri.

Pas fjalës hyrëse të palëve, prokurori Agron Matjani, kërkoi që seanca të ndërpritet dhe të vazhdojë në orën 14:00, me qëllim që palët të negociojnë marrëveshjen për pranimin e fajësisë.

Në marrëveshjen e paraqitur nga prokurori Matjani, parashihej që i akuzuari Bëmirës Dërvishdana, të shpallej fajtor për veprën penale “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe t’i shqiptohej dënim me gjobë prej 1000 deri 1500 euro dhe dënim me burg në kohëzgjatje prej një viti me kusht, që në afat prej dy vjetësh të mos kryej vepër tjetër penale.

Kurse, i akuzuari Ilir Kameri, për veprën “lëndim i rëndë trupor”, të shpallej fajtor dhe t’i shqiptohej dënim me burg në kohëzgjatje prej një viti me kusht, që në afat prej dy vjetësh të mos kryej vepër tjetër penale.

Këtë marrëveshje e kanë mbështetur edhe mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Ndrecë Dodaj dhe Meshari Selimaj, të cilët kanë theksuar se një marrëveshje e tillë është bërë me vullnetin e klientëve të tyre dhe është në përputhje me dispozitat ligjore.

Ndryshe, të akuzuarit në seancën e shqyrtimit fillestar më 28 korrik 2017, nuk e kishin pranuar fajësinë për veprat penale që u ngarkoheshin me aktakuzë.

Sipas aktakuzës, më 30 korrik 2016, rreth orës 02:20, në diskotekën “Hangover” në Gjakovë, kishte ndodhur një përleshje e cila kishte nisur pas një konflikti verbal ndërmjet Ilir Kamerit dhe Bëmirës Dervishdana dhe që më pas kishte rezultuar edhe me sulm fizik. Në këtë përleshje, Bëmirës Dërvishdana, kishte nxjerrë nga brezi revolen me të cilën qëllon, duke i plagosur në këmbë Gurakuq Haradinajn dhe Ilir Kamerin. Për këto veprime, Bëmirës Derishdana, akuzohet për veprat penale “shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” dhe “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Kurse, i akuzuari Ilir Kameri, me veprimet e tij i kishte shkaktuar lëndime të rënda trupore të akuzuarit Bëmirës Dervishdana. Me çka, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “lëndimi i rëndë trupor”.

Në këtë konflikt ishin të përfshirë edhe të akuzuarit Gurakuq Alimehaj, Gurakuq Haradinaj dhe Gjenial Dervishdana, të cilët me veprimet e tyre duke marrë pjesë në rrahje, akuzohen se kanë kryer veprën penale “pjesëmarrja në rrahje”./betimiperdrejtesi/