Dënohen dy serbë në veri të Mitrovicës, kanë kryer krime gjatë kohës së barrikadave

Sllobodan Sovrliq dhe Boban Janiçijeviq u dënuan me dy vjet, gjegjësisht një vit dhe dhjetë muaj burgim – pezulluar për katër vjet, për shkak të krimeve të bëra gjatë kohës së barrikadave në veri të Kosovës në vitin 2012

Lajme

24/10/2015 13:20

Siç raportoi portali mitrovicas “Košev”, pesë nga tetë serbë të mbetur, ndaj të cilëve është mbajtur procesi para trupit gjykues të Eulex-it në gjykatën themelore të Mitrovicës, për krimet e dyshuara gjatë kohës së barrikadave të vitit 2012 – janë liruar nga akuza.

Sovrliq dhe Janiçijeviq janë dënuar për shkak se me datë 30 maj të vitit 2012 dhe me 3 prill të po këtij viti, në qendër të Zubin Potokut dhe në rrethinë të fshatit Zupç, kanë kryer vepra penale të rrezikimit të sigurisë së personelit të UN-it – në bashkëpunim të personave në kryerjen e detyrave zyrtare, më pas sulm ndaj tyre gjatë ushtrimit të detyrave të tyre zyrtare, si dhe dëmtim të pronës së luajtshme të Eulex-it.

Të dy serbët, përveç dënimit të burgimit me kusht, janë dënuar edhe me gjobë financiare, transmeton klankosova.

Sovrliq është gjobitur në vlerë prej 2.000 euro, ndërsa Janiçijeviq me 1.500 euro.

Dënimi i burgimit me kusht do të kryhet vetëm në qoftë se gjatë periudhës katër vjeçare të akuzuarit e kryejnë edhe ndonjë vepër tjetër penale.

Në atë rast, Sovrliqit do t’i llogaritet edhe koha të cilën e ka kaluar në paraburgim.

Pesëshja tjetër e mbetur e serbëve – Dragan Raduloviq, Urosh Bozhoviq, Branko Gjuroviq, Radoljub Tomoviq dhe Zharko Jakshiq, janë liruar nga akuza që me datë 3 prill të vitit 2012 në afërsi të fshatit Zupç kanë kryer të njejtat vepra penale, si dhe nga pjesëmarrja në turmën e atyre që kanë bërë ato krime.

Ndërsa edhe ndaj njërit nga serbët e akuzuar, Sllavoljub Veliçkoviq, i cili është ende i lirë, nuk është bërë aktgjykimi, transmeton portali Košev.