Dënimi nga FFK, reagon Dajaku: Ky vendim thyen çdo ligj të shtetit të Kosovës

Për shkak të, siç thuhej, fyerjeve e shpifjeve ndaj Federatës së Futbollit të Kosovës, Komisioni Disiplinor i këtij institucioni largoi nga puna e dënoi tre zyrtarë të futbollit vendas.

Sport

29/04/2022 14:32

Njëri ndër ta ishte edhe drejtori sportiv i skuadrës së Drenicës, Taulant Dajaku, i cili u gjobit me 200 euro dhe iu ndalua ta ushtronte detyrën e tij te skuadra nga Skenderaji për gjashtë muaj.

Siç thuhej në vendimin e FFK-së, Dajaku kishte shpifur dhe fyer shtëpinë e futbollit kosovar, konkretisht në intervistën e dhënë në emisionin “Interaktiv” të KTV-së.

Në arsyetimin e vendimit të marrë thuhet se ish-mesfushori nuk ka ofruar prova për t’i mbështetur deklarimet e bëra në televizion.

I kontaktuar nga Lajmi.net, Dajaku thotë se nuk bëhet fjalë për kurrfarë shpifjeje ose fryeje ndaj FFK-së siç pretendohet në vendim.

“Është lehtësisht e konstatueshme se çdo opinion i imi, në asnjë vend, s’ka asnjë fyerje, asnjë dezinformim dhe asgjë të dënueshme mbi bazat kushtetuese të këtij vendi. Krejt çka kam thënë është këndvështrim i imi për gjërat që po ndodhin”, tha fillimisht ai, raporton lajmi.net.

“Vendimi dhe arsyetimi janë krejtësisht të pabazë. Ky vendim tregon saktësisht se në çfarë gjendje është futbolli kosovar tashmë. Ky vendim thyen çdo ligj të këtij shteti pasi cënon të drejtën e individit për t’u shprehur lirshëm. Mbi të gjitha, po tentohet të indimidohen njerëz dhe të vendoset diktat në çdo gjë në futbollin kosovar”, shtoi tutje ai.

Dajaku nuk paralajmëroi ankesë ndaj këtij vendimi, përkundër që, siç shprehet, është krejtësisht i pabazë.

Njëjtë sikurse Dajaku pësoi edhe një tjetër drejtor sportiv. Bëhet fjalë për Valon Zymerin e Dritës që po ashtu u dënua me 200 euro dhe gjashtë muaj mos punë.

Më së keqi nga të dënuarit e pësoi sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, që u largua nga puna për po të njëjtat arsye. /Lajmi.net/