Dënimet e para të fushatës
PZAP ka filluar t'i “shpërndajë” dënimet e para të fushatës zgjedhore. Sipas këtij paneli, PDK e LDK prijnë për nga shuma e gjobave, me nga katër copa. Po ashtu, deri më tash, janë bërë edhe mbi 80 ankesa nga subjektet politike.

Lajme
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) deri më tash ka pasur mjaft punë.
Tashmë janë shqiptuar dënimet e para për subjektet politike, gjoba këto që kapin shumën e mijëra eurove dhe që kryesisht kanë të bëjnë me shkeljen e rregullores për vendosjen e posterëve.
Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës prijnë me dënime, me nga katër.
Ndërsa, nga një gjobë ka marrë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Qytetare e Ferizajt.
PDK është gjobitur me 21 mijë e 300 euro, LDK me 20 mijë e 700 euro, AAK me 800 euro dhe Nisma Qytetare e Ferizajt është gjobitur me 250 euro.
Sipas Kryetarit të PZAP’it, Shukri Sylejmani, i cili ka folur për “Radio Kosovën”, në këtë panel kanë arritur 80 ankesa nga subjektet politike, shumica e të cilave kanë të bëjnë për fushatën zgjedhore, por disa prej tyre janë edhe për fushatën parazgjedhore.
Karakteristikë e këtyre zgjedhjeve, sipas tij, është se të gjitha subjektet politike janë ankuar.
“Në këto zgjedhje është karakteristike që nga të gjitha subjektet paraqiten ankesa, për dallim nga zgjedhjet e kaluara. Kryesisht kanë të bëjnë me vendosjen e posterëve nëpër vendet dhe objektet e ndryshme publike, nëpër shenjat e komunikacionit, në disa raste kanë të bëjnë me vendosjen e posterëve mbi posterë të kandidatëve të tjerë, aty këtu disa ankesa kanë të bëjnë me grisjen e posterëve”, ka thënë Sylejmani, për “Radio Kosovën”.
“Kemi shqiptuar dënime të caktuara, kemi shqiptuar disa subjekteve politike. Kemi shqiptuar për shembull dënime prej 5 mijë e 100 euro, 5 mijë e 50 euro, por ka ndodhë që kemi shqiptuar edhe dënim prej 50 eurove”.
Sipas PZAP, ankesat kanë ardhur kryesisht nga qytetet e Ferizajt, Deçanit dhe Lipjanit.
Sipas vendimeve të PZAP’it subjektet obligohen që të paguajnë gjobat 15 ditë nga data e shqiptimit të gjobës. Shumica e ankesave ky panel i ka shqyrtuar, dhe ato që kanë mbetur pritet të shqyrtohen në ditët në vijim.