Dënimet e buta kanë bërë që zyrtarët të mos e deklarojnë pasurinë (Video)

Deklarimi i pasurisë së zyrtarëve publikë dhe pse është i obliguar me ligj, numri i zyrtarëve që mbajnë poste publike e që nuk e kanë deklaruar pasurinë ka shënuar rritje në vitin 2015.

Lajme

10/06/2015 12:38

Sipas një raporti të organizatës “ÇOHU”, numri i zyrtarëve që nuk e kanë deklaruar pasurinë për vitin 2015 është 71, më i madhi që nga viti 2013.

Përfaqësuesi i organizatës ÇOHU, Arton Demhasaj, gjatë një tryeze me temën: “Procesi i Deklarimit të Pasurisë- Kontrolli dhe Vërtetësia e të Dhënave”, e mbajtur të mërkurën, tha se përkundër ndryshime ligjore ka ndodhur pak progres në aspektin e dënimeve ndaj zyrtarëve që nuk e kanë deklaruar pasurinë.

“Përkundër ndryshimeve të shpeshta dhe progresit në aspektin e masave ndëshkuese ka ndodhur pak progres sa i përket mosdeklarimit ose masave ndëshkuese të ndëshkimit të deklaruesve të rrejshëm të pasurisë. Përgjithësisht mekanizmi i kontrollit dhe verifikimit të pasurive nuk siguron vërtetësinë e të dhënave”.

“ Vendimet e buta të gjykatave, përgjithësisht tani pasi që është bërë vepër penale, ka mund të ndikojë që kemi një rritje të numri të mosdeklarueseve në vitin 2015. Në vitin 2013 kemi 35 mos deklarues, gjithmonë po flasim për afatin e rregullt, në vitin 2014 ku kanë qenë vetëm 2 mos deklarues, ku ka qenë viti që ka pasur mesë paku mos deklarues, dhe tash në vitin 2015 që ka arrit shifrat në 71”, tha Demhasaj

Kurse Albulena Haxhiu, kryetare e Komisionit për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës, komision ky i cili mbikëqyrë punën e Agjencisë Kundër Korrupsion (AKK), ka thënë se raporti i publikuar paraqet gjendjen reale. Ajo ka kritikuar institucionet shtetërore për mos shqyrtimin e këtyre raporteve, kurse i ka quajtur qesharake qasjen ndaj raporteve të deklarimit të pasurisë dhe dënimet.

“Është qesharake dhe jo serioze mënyra se si adresohet çështjet e deklarimit të pasurisë, mosdeklarimit të pasurisë ose deklarimit të rrejshëm të pasurisë  apo edhe konfliktit të interesit”.

“Megjithë shkallën e lartë të krimit të organizuar dhe të korrupsionit nëse e shohim raportin e Agjencionit Kundër Korrupsionit, flitet për 3-4 dënime me gjobë, kjo është qesharake”.

“Nëse i shohim deklarimet e zyrtarëve të lartë vërejmë që ka një shpërputhje marramendëse të hyrave që i kane dhe pasurinë qe e kanë krijuar. Si mundet një zyrtarë i lartë me një pagë 1200 euro, ta krijo  gjithë atë pasuri me pallate gjithandej”, ka thënë Haxhiu, transmeton lajmi.net.

Por, përfaqësuesit e organeve të drejtësisë, prokurorisë dhe gjykatave kanë kundërshtuar qasjen e shoqërisë civile për mënyrën e dënimit.

Koordinatori kombëtar për luftimin e krimit ekonomik, Shqipdon Fazliu, ka thënë se duhet merren parasysh rastet që i sjell AKK-ja, para gjykatave.

Ai ka thënë se nëse kërkohet dënim me burg efektiv për asamblistët komunal që kanë pagë 100 euro, është absurde.

Duhet të kihet parasysh çfarë rasti ka sjell AKK-ja pikë së pari para gjykatave. Shumica e të dënuarve janë asamblistë komunal që kanë pasur pagën prej 100 eurove. Nëse dikush e ka pasur pagën prej 100 eurove shoqëria civile po pret ti shqiptohet dënimi me burg efektiv, sepse nëse është ashtu atëherë duhet të dal dikush nga institucionet dhe t’i thotë shoqërisë civile, ok jemi për të bashkëpunuar, për t’i marr parasysh vërejtjet e juaja, por në rastin konkret na falni por nuk po e dini çka po flisni. Në rastet kur vepra penale, madje, ndoshta edhe fare nuk është vepër penale”, ka thënë ai.

YouTube player