Demokratët, gati për debatin presidencial të radhës

Demokratët zhvillojnë debatin e tyre të pestë presidencial sot (të mërkurën) në Atlanta të Xhorxhias.

Bota

20/11/2019 22:40

Dhjetë kandidatët demokratë do të debatojnë me njëri-tjetrin në garën presidenciale, e cila kohëve të fundit është vënë në hije nga procesi hetimor për shkarkimin e Presidentit Trump në Uashington.

Do të jetë një skenë me dhjetë kandidatë demokratë në Atlanta, të cilët do të përpiqen të tërheqin vëmendjen e votuesve të partisë së tyre.

Dy pretendentët kryesorë, ish-nënpresidenti Joe Biden dhe senatorja nga Masaçusetsi, Elizabeth Warren, do të jenë në qendër të skenës.

Por një kandidat që po tërheq më shumë vëmendje për momentin është kryebashkiaku i qytetit të South Bend-it në Indiana, Pete Buttigieg.

Anketat tregojnë se Buttigieg tani po udhëheq në Ajova, shteti i parë ku zhvillohen zgjedhjet paraprake që fillojnë në shkurt.

“Me rritjen e numrit të votuesve që dëgjojnë mesazhin tim, do të rritet edhe mbështejta dhe baza jonë.”

Ish-nënpresidenti Biden vazhdon të kryesojë në sondazhet në nivel kombëtar dhe argumenton se ai do të ishte kandidati më i fortë në përballjen me Presidentin Trump vitin e ardhshëm.

“Kushdo nga ne që do të marrë emërimin e partisë demokrate, presidenti i ardhshëm është e sigurt që do të trashëgojë dy gjëra: një vend të përçarë dhe një botë në rrëmujë.”

Senatorja Warren gjithashtu mbetet në krye të kandidatëve demokratë, por kohët e fundit është detyruar të hidhet në mbrojtje të planit të saj gjithëpërfshirës për një program qeveritar të kujdesit shëndetësor.

“Votoni për mua dhe ejani të luftojmë së bashku sepse kjo është koha jonë që të ëndërrojmë, të luftojmë fort dhe të fitojmë!”

Një pretendent i ri demokrat, që nuk do të jetë në debat është ish Guvernatori i Masaçusetsit, Deval Patrick, i cili njoftoi javën e kaluar se po hynte në garë.

“Unë mendoj se kjo fushatë është një mundësi për të bashkuar njerëzit.”

Edhe ish-kryetari i bashkisë së Nju Jorkut dhe miliarderi Michael Bloomberg mund të hyjë në garën për president.

Hyrja e kandidatëve shtesë ngre pyetje në lidhje me listën aktuale të konkurrentëve, thotë analisti Larry Sabato.

“Është e qartë se shumë udhëheqës demokratë janë të shqetësuar nga ata që kryesojnë deri tani. Secili prej kandidatëve ka probleme: disa janë të moshuar, ose shumë të rinj, me shumë përvojë ose me pak përvojë, dhe anojnë shumë nga e majta ose e djathta.”

Tetë pretendentët e tjerë që do të jenë në skenë për debatin në Atlanta, janë senatori nga Vermonti, Bernie Sanders, senatorja nga Kalifornia, Kamala Harris, senatorja nga Minesota, Amy Klobuchar dhe senatori nga Nju Xhërsi, Cory Booker. /VoA