Të Infektuar: 8799

Të Shëruar: 4027

Të Vdekur: 249

Demokratët akuzojnë Trumpin për evazion fiskal e përfitime të tjera

18:05 | 9 Korrik 2020

Presidenti amerikan Donald Trump rrezikon t’i nënshtrohet hetimit pasuror nga kundërshtarët demokratë nëse Gjykata e Lartë do të vendosë kundër tij. Çështja pritet të ndikojë të shanset e kreut të shtetit për të rimarrë presidencën në muajin nëntor.

Gjykata e Lartë në Amerikë pritet të marrë të enjten një vendim sa juridik, aq edhe politik që mund të dëmtojë kreun e shtetit, Donald Trump, më pak se 4 muaj nga zgjedhjet presidenciale.

Paditë e ngritura nga opozitarët demokratë kërkojnë të detyrojnë shefin e Shtëpisë së Bardhë të publikojë deklaratat tatimore dhe të dhëna të tjera financiare që lidhen me të shkuarën e tij në biznesin familjar të ndërtimit.

Rivalët druhen se presidenti nuk po thotë të vërtetën për sa i përket pasurisë, sigurimit të parave, bashkëpunimit me kompanitë e huaja, rreth mundësisë që mund të ketë kryer evazion fiskal, pastrim parash ose mund të ketë përfituar padrejtësisht nga lehtësirat e kodit tatimor, raporton Ora News.

Për këto akuza, prej vitit 2015 kur filloi fushatën për drejtimin e zyrës ovale, Trump është mbrojtur me pretekstin se bizneset e tij janë në auditim e sipër, ndaj nuk mund t’i publikojë të dhënat e kërkuara financiare.

Gjykatat e ulëta në qytetin e Nju-Jorkut më herët kanë gjykuar se kreu i shtetit duhet t’i bëjë të njohura raportet me firmat partnere por edhe llogaritë bankare në institucionet financiare shumëkombëshe me të cilat ka bashkëpunuar.

Të enjten, një vendim i Gjykatës së Lartë në favor të palës akuzuese do lejonte ligjvënësit demokratë në Kongresin amerikanët që të hetojnë dyshimet e tyre.

Gjykimi kundër presidentit do bënte që çështja të përdorej politikisht nga demokratët në fushatën në vijim për zgjedhjet kombëtare.

Për shkak të situatës tragjike me pandeminë e koronavirusit por edhe protestat kundër racizmit ndaj afroamerikanëve të përhapura në mbarë vendin, publiku amerikan mendohet se e ka humbur besimin te kreu aktual i shtetit.

Në sondazhet e fundit, republikani 74-vjeçar Trump qëndron aktualisht rreth 10 për qind poshtë demokratit 78-vjeçar, Xho Bajden.