Demokracia, sipas Gjinit

Për Ardian Gjinin, Kosova po ecën me hapa të shpejtë drejt krijimit të demokracisë. Por, thotë se ajo që po e mbyt demokracinë në Kosovë është korrupsioni dhe krimi i organizuar.

Lajme

16/09/2013 13:08

Dita Ndërkombëtare e Demokracisë është shënuar sot edhe në Kosovë, kryesisht duke debatuar për të.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK’së, Ardian Gjini, shpesh ka kritikuar për mungesë demokracie në shtetin e ri. Por, sot, ai nuk është shprehur ashpër në vlerësimin e tij për nivelin e demokracisë në Kosovë, duke konstatuar se vendi po ecën shpejt drejt kësaj rruge.

Ai ka rikujtuar se demokracia kuptohet si sundim ose qeverisje e popullit, ku pushteti ushtrohet drejtpërsëdrejti prej përfaqësuesve të zgjedhur prej tij, sipas një sistemi elektoral të lirë.

“Kosova, edhe pse në fillim të viteve të saj si shtet i pavarur në përpjekje të ndërtimit të demokracisë, po vazhdon të ketë probleme të tilla si korrupsioni dhe krimi i organizuar”, ka deklaruar Gjini, për lajmi.net.

“Demokracia në Kosovë është demokraci në fillim të jetës së saj, nuk ka kaluar shumë kohë, nëse kemi parasysh historinë e shumë popujve të tjerë sa kohë u ka marrë – me qindra vjet. Prapë se prapë, Kosova po ecën shpejt, për shkak të rrethanave në të cilat është ndërtuar dhe për shkak të kohës në të cilën e ka filluar jetën e vet demokratike.”

Ai thotë se Kosova është një vend që i takon Botës Perëndimore dhe varet nga vetë kosovarët integrimi atje.

“Rruga është e përcaktuar. Kosova do të jetë demokraci përgjithmonë, do të jetë vend i cili synon integrimin në Union Europian dhe në NATO.”

Kush e mbyt e kush e mban gjallë demokracinë në Kosovë?

“Elementet ose fenomenet më të dëmshme për demokracinë janë korrupsioni dhe krimi i organizuar.”

“Ndërsa, demokracinë e mbajnë gjallë njerëzit e vullnetit të mirë, njerëzit e Kosovës, ata të cilët besojnë në këtë sistem dhe të cilët duan ta çojnë Kosovën përpara. Mendoj që janë shumica dërrmuese e qytetarëve të Kosovës.”