Të Infektuar: 106.022

Të Shëruar: 96.668

Të Vdekur: 2.198

Demokracia Plus deklarohet për ankesat e partive dhe organizatave të komuniteteve joshumicë për zgjedhjet

18:30 | 22 Shkurt 2021

Demokraci Plus (D+) ka bërë të ditur se kanë përcjellur me shqetësim ankesat nga partitë politike dhe organizatat joqeveritare që përfaqësojnë komunitetet joshumicë në Kosovë, lidhur me procesin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 14 shkurt të këtij viti.

Sipas Demokracisë Plus (D+), Ato pretendojnë se i’u është mohuar e drejta e përfaqësimit në Kuvend, përmes themelimit të partive politike satelite nga Lista Serbe, e cila ka kontrolluar votat e përkrahëseve të saj me qëllim të përfitimit të ndikimit mbi deputetë që mbajnë ulëse të garantuara për komunitetet.

“Sipas rezultateve preliminare të zgjedhjeve, dy parti politike të regjistruara rishtazi dhe që kanë deklaruar se përfaqësojnë interesin e komunitetit boshnjak dhe rom, kanë arritur të përfaqësohen në Kuvend përmes votave të marra në komunat e banuara me shumicë serbe, e ku fare pak apo aspak nuk ka banorë të komuniteteve në fjalë. Në parim, votimi për parti politike të komuniteteve tjera do të ishte një avancim për demokracinë dhe bashkëpunimin ndëretnik në Kosovë, por është e habitshme të shihet se si këto parti politike brenda një periudhe kaq të shkurtër kanë arritur të sigurojnë përkrahje kaq të madhe, pa pasur në programet e tyre politika që trajtojnë çështjet e komunitetit serb”, thuhet në komunikatën për media.

Gjithashtu u theksua se pretendimet se në komunat e banuara me shumicë serbe procesi i votimit ka qenë i kontrolluar dhe i manipuluar, rriten kur kihet parasysh numri i lartë i pjesëmarrjes në zgjedhje në këto komuna me shumicë serbe (deri në 85%), që është në disproporcion të lartë me komunat tjera dhe në krahasim me zgjedhjet paraprake në komunat e njëjta. Zgjedhjet e 14 shkurtit në këto komuna kanë qenë shumë pak të monitoruara nga vëzhguesit vendorë dhe ndërkombëtarë, e ku për herë të parë, as OSBE nuk ka qenë e përfshirë në ofrimin e asistencës për organizimin e zgjedhjeve. Duke iu referuar raportit të Bashkimit Evropian për zgjedhjet e vitit 2019, vërejmë se në të kaluarën ka pasur frikësim të komunitetit serb për të shprehur lirshëm preferencat e tyre, duke i shtyrë për të votuar vetëm për një parti politike të caktuar.

“Ulëset e garantuara për komunitetet jo-shumicë janë një garanci që komunitetet të kenë përfaqësim efektiv në Kuvendin e Republikës së Kosovës, dhe jo mjet që një komunitet tjetër të shtrijë ndikimin deri në një masë sa për të deformuar vullnetin e komuniteteve joshumicë në Kosovë. Nëse një gjë e tillë tolerohet, mund të përdoret si praktikë edhe në të ardhmen, madje edhe kundër vetë atyre të cilët po tentojnë ta zbatojnë këtë praktikë sot.

Andaj, ftojmë Prokurorinë e Shtetit që t’i hetojë këto pretendime të komuniteteve joshumicë, pasi përbëjnë shkelje të të drejtave zgjedhore, e në rast se të njëjtat vërtetohen, rezultatet e zgjedhjeve në ato qendra të votimit të anulohen apo të përsëritet votimit, në varësi të ndikimit që mund të kenë në rezultatin përfundimtar.

Ne mbetemi të përkushtuar për t’u siguruar që procesi zgjedhor të jetë demokratik dhe të kërkojmë përgjegjësi sa herë që vullneti i qytetarëve të Republikës së Kosovës tentohet të deformohet”./Lajmi.net/