Demir: Marrëveshja S-400 mes Turqisë dhe Rusisë akoma në fuqi

16:34 | 16 Maj 2019

Turqia mbetet e përkushtuar në marrëveshjen me Rusinë për blerjen e baterive të saj S-400 për mbrojtje raketore përderisa negociatat po vazhdojnë me Washingtonin për sistemin Patriot, tha sot kryetari i industrisë së mbrojtjes, Ismail Demir.

“Ne (Turqia) jemi një vend serioz, marrëveshja jonë me Rusinë vazhdon, ne gjithashtu po negociojmë me SHBA-të”, tha Demir për AA në një deklaratë pas ceremonisë së dorëzimit të pajisjeve mobile të mbikëqyrjes në Ankara, raporton Anadolu Agency (AA).

Demir tha se industria vendase e mbrojtjes është në të njëjtin qëndrim me ministrin e Jashtëm të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, i cili paraprakisht tha se Ankaraja zyrtare nuk dëshiron të prolongojë apo të suspendojë blerjen.

Ai shtoi se dorëzimi i sistemit raketor S-400 tashmë është diskutuar me zyrtarët rusë dhe dorëzimi mund të ndodhë në qershor, më herët se sa ishte planifikuar fillimisht.

Demir tha se negociatat dypalëshe me SHBA-të do të vazhdojnë, pa zbuluar më shumë detaje.

Tensionet mes Turqisë dhe SHBA-ve janë përshkallëzuar në muajt e fundit pasi Turqia pritet të fillojë me pranimin e sistemit të avancuar S-400 me raketa sipërfaqe-ajër nga Rusia.

Zyrtarët amerikanë kanë sugjeruar që Turqia të blejë sistemin raketor amerikan Patriot në vend të sistemin S-400, duke argumentuar se mund të jetë i papërputhshëm me sistemet e NATO-s dhe është një kërcënim për avionët F-35 të gjeneratës së pestë.

Turqia u përgjigj se ishte refuzimi amerikan për të shitur sistemin Patriot që e bëri Turqinë të kërkojë shitës të tjerë, duke shtuar se Rusia ofroi marrëveshje më të mirë, përfshirë edhe transferim të teknologjisë.