Demi-zyrtarëve qeveritarë: Po, Kurti e kalon 1/4 e kohës në akademi përkujtimore, s’ka fillu as përfundu një projekt madhor

Analisti i politikave në Institutin GAP, Agron Demi, ditë më parë ka publikuar disa të dhëna nga të cilat bëhej e ditur se si e kalon shumicën e kohës, kryeministri i vendit Albin Kurti. Publikimi i këtyre të dhënave padyshim se nuk shkoj pa u vërejtur e pa pasur reagime. Reagime pati madje edhe nga…

Lajme

29/07/2024 13:43

Analisti i politikave në Institutin GAP, Agron Demi, ditë më parë ka publikuar disa të dhëna nga të cilat bëhej e ditur se si e kalon shumicën e kohës, kryeministri i vendit Albin Kurti.

Publikimi i këtyre të dhënave padyshim se nuk shkoj pa u vërejtur e pa pasur reagime.

Reagime pati madje edhe nga zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, e nga Vetëvendosje.

Në lidhje me këtë është deklaruar sërish Demi, i cili tha se i ka mirëpritur këto reagime, derisa tha se të dhënat theksojnë se nga agjenda e kryeministrit për këta shtatë muaj bëhet e ditur se ¼ e kohës Kurti e kalon në akademi përkujtimore.

“Shumë mirë që zyrtarët qeveritarë reaguan në një postim timin sa i përket të dhënave se si e kalon Kryeministri kohën e tij. Shumica e reagimeve ishin korrekte, pa rënë në fyerje. Të gjithë kemi të drejtë në opinionet tona, por jo secili me shpikë të dhëna/fakte. E të dhënat nga agjenda e Kryeministrit këta shtatë muaj tregojnë se ai kalon mbi 1/4 e kohës në akademi përkujtimore”, thotë ai.

Ai po ashtu tha se e dimë që Kosova ka pësu shumë masakra të tmerrshme, por 25 vjet pas luftës nevojitet lidership nacional që me vendosë një ditë nacionale memorial, ashtu sic e kanë të gjitha shtetet e tjera.

Demi gjithashtu tha se kryeministri Kurti mban edhe takime që nuk bëhen publike, por që sipas tij do të duhej të kishin rezultate, transmeton lajmi.net.

“E kuptueshme që Kryeministri ka edhe takime tjera që nuk bahen publike. Por në vitin e fundit të qeverisjes ish dashtë me kulmu në rezultate të prekshme ato takime.Për shembull, përse për shtatë muaj Kryeministri nuk ka fillu as përfundu një projekt madhor infrastrukturorë? Po bahen një vit qysh kur u paralajmëruar se autostrada për Gjilan u kry, por ama ende askush nuk e di saktë as traseja ka i bjen”,tha ai.

Agron Demi ka komentuar edhe veprimet  e kryeministrit ndaj bizneseve në vend.

“Përse Kryeministri i neglizhon komplet bizneset? Ka mund me i vizitu së paku nja 30 biznese për shtatë muaj, ma pak se gjysma e vizitave për kryeshnosh. Janë bizneset ato që ja mundësojnë Kryeministrit me i mar ka 100 milionë euro e me i shpërnda pastaj tek grupet sociale, pa asnjë plan të qëndrueshëm”, potencoi ai.

Gjithashtu, Demi parashtron pyetje se pse kryeministri nuk viziton ndonjë komunë që nuk qeveriset nga partia e tij.

“Përse nuk përton me i hyp aeroplanit e me shku në Londër me mbajtë një ligjeratë, por nuk shkon në një komunë që nuk qeveriset nga partia e tij? Përse ka kohë me pritë grupe studentësh nga lloj-lloj universiteti, por nuk ka kohë me i adresu vërejtjet ndaj ministrave që shkojnë në adresë të tij çdo ditë?, thotë ai.

Në publikimin e bërë ditë më parë theksohej se Kurti ¼ e kohës e ka kaluar duke shkuar në të pame, homazhe dhe akademi përkujtimore./Lajmi.net/