Demanton ish-këshilltarja e Thaçit: Emërimi im ambasadore në Kroaci, spekulim medial
Mediet vendore raportuan sot gjatë ditës se ish-këshilltarja e Hashim Thaçit, Dhurata Sadiku-Hoxha, do të emërohet ambasadore e Kosovës në Zagreb.

Lajme
Por, e kontaktuar nga lajmi.net, Dhurata Sadiku-Hoxha ka demantuar këto raportime, duke i quajtur spekulime mediale.
“Nuk po e kuptoj këtë përkushtim kaq të madh për të raportuar të pavërteta. Nuk është e vërtetë që do të emërohem ambasadore askund dhe as që ka diskutuar dikush me mua për këtë çështje. Për më tepër, as që jam e interesuar për një pozitë të tillë. Është joetike të plasohen lajme të tilla, përmes të cilave synohet të manipulohet opinioni publik për qëllime të caktuara politike. Mua as prej medieve nuk më ka kontaktuar askush për këtë çështje. Unë jam anëtare e kryesisë së PDK-së dhe do të vazhdoj të jap kontributin tim në PDK”, ka thënë Hoxha-Sadiku, në një prononcim për lajmi.net.
Ndryshe, gjatë ditës është shkruar në media se Hashim Thaçi ka vendosur që për ambasadore të Republikës së Kosovës në Zagreb të dërgojë ish-këshilltaren e tij, Dhurata Sadiku-Hoxhën, e cila ishte edhe kandidate për deputete nga radhët e PDK-së.
E, derisa kjo mohohet kategorikisht nga Sadiku-Hoxha, mediat kanë raportuar se emërimi i saj është punë e kryer dhe pritet të bëhet vetëm dekretimi i nga ana e Presidentes së vendit, Atifete Jahjaga. (lajmi.net)